Jakup Krasniqi i reagon Kadri Veselit: A ka në Kosovë skena të Sirisë?

26.09.2016 16:58:55

Të qenët në krye të institucioneve të larta të shtetit, përveç që është një lloj privilegji, konsideroj që është shumë më shumë – përgjegjësi, përgjegjësi jo vetëm për familjen tënde, grupin tënd a partinë që e drejton.

Është përgjegjësi për afër dy milionë qytetarët e Kosovës dhe për gjithë diasporën, që është e lidhur ngushtë me atdheun e të gjithë atyre që kanë origjinë nga Kosova. Ata dëshirojnë që shteti i Kosovës të prosperojë.

Kështu shkruan ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, aktualisht kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën.

Nuk ka fije dyshime, Kosova ka shumë probleme, probleme të trashëguara e të krijuara nga padija, nga pa përgjegjësia dhe nga makutëria e njerëzve të veshur me pushtet. Nga Kosova kanë ikur shumë njerëz, ata ikin përditë për shkak se këtu nuk e shohin perspektivën e tyre për punë e siguri, por Kosova sot nuk është Siri. Në vitet e Luftës Çlirimtare ishte Siri, por atë e bëri Serbia, politika e saj e gjenocidit, politikë që e donte Kosovën pa shqiptarë. Prandaj ia vuri zjarrin çdo gjëje. Ashtu siç ia vunë zjarrin Sirisë, Asadi e ISIS-i.

Institucionet e shtetit, drejtuesit e shtetit, për shkak te informacioneve që i kanë, janë të parët që duhet të ndalojnë çdo aktivitet, te kujtdo qoftë, që ta pengojnë e parandalojnë çdo përpjekje për ta bërë Kosovën Siri. Nëse kryetari i Kuvendit dhe kryeministri dhe çdo institucion tjetër i sigurisë kombëtare, janë të obliguar që t’i marrin masat parandaluese kundër secilit që i “pëlqejnë skenat e Sirisë”. Nëse është thënë sa për të thënë, është gabim i madh.

Vërtet, kujt po i “pëlqejnë skenat e Sirisë”?! Nuk e di kujt i drejtohet kjo, por pse nuk është vendi të thuhet e nuk ka asnjë argument, jam më se i bindur. Veç amani ju koftë, ligji le të veprojë për të gjithë uzurpuesit njësoj! Mos e ndillni Sirinë, për të cilën gjendje atje fajin e ka Asadi!

Qytetarëve që kanë vendimet e gjyqit për t’i liruar banesat nuk besoj që iu “pëlqejnë skenat e Sirisë”?!

Mjaftë nga vuçiqët po na vijnë akuza të tilla. Se paku ne mos t’ua vërtetojmë?!