Jakup Krasniqi, nëse deri tash keni bërë keq, çka po lypni më? Ju jeni recidivistë të papërmirësueshëm!

03.06.2017 12:05:55

Nga Rexhep Kastrati

Jakup Krasniqi ka pranuar se shokët dhe ish-shokët deri tash kanë bërë keq, por kërkon edhe një mundësi që të tregojnë se janë përmirësuar! Dhe pas shpikjes së Glauk Konjofcës të mallit për me u sëmurë, kj e Jakupit është shpikja e re e kësaj fushate. Është shpikje e re, se pranon më në fund se deri tash kanë qenë të këqinj, por tash paksan vendosur të përmirësohen dhe të bëhen të mirë. Edhe pse që nga viti 2002 e deri më tash vetëm 2 vjet nuk kanë drejtuar qeverisjen e vendit, dhe kanë pasur kohë, mundësi dhe hapësirë për të kuptuar se kanë bërë keq, dhe për t’u përmirësuar, megjithatë vetëm tash po e pranon Jakupi se kanë qenë të këqinj, por na qenkëshin përmirësuar! Vallë kaq e thjesht kjo puna e pranimit se kanë qenë të këqinj, por janë përmiërsuar? Të jetë kjo vetëm thjesht çështje e një deklarimi verbal? Po përgjegjësinë për dëmet që kanë bërë, kush duhet ta ketë? Kush duhet ta ketë përgjegjësinë për vrasjet politike që kanë synuar dobësimin e linjës institucionaliste të presidentit Rugova dhe të gjithë atyre që guxonin t’u thoshin se ishin të këqinj? Kush do t’ua shpjegojë fëmijëve të Bekim Kastratit se përse mbetën pa baba? Kush do të marrë përgjegjësinë për kapjen e shtetit? Kush do të marrë përgjegjësinë për vendosjen e monopoleve? Kush do të marrë përgjegjësinë për sjelljen e keqe gjatë zgjedhjeve kur vota dhe villneti i qytetarëve është kushtëzuar me një vend pune, madje edhe me një thes miell, me një mbushje telefoni etj.? Kush duhet të mbajë përgjegjësi për dëmet e bëra me molotov, me bllokim institucionesh, me cenim të stabilitetit të vendit, me prishje të imazhit ndërkombëtar të Kosovës? Vallë, të harrohen të gjitha këto dhe t’iu jepet mundësia që të vazhdohet më tej?

Dhe për t’iu besuar se kanë ndryshuar dhe na qenkëshin bërë të mirë, këta shokët dhe ish-shokët duhet të pranojnë përgjegjësinë politike dhe të hapin krahun që dëmet që i kanë bërë, të mund t’i përmirësojë dhe korigjojë një qeverisje e përgjegjshme, e të cilën e ndërprenë pikërisht se nuk janë përmirësuar, se kanë mbetur të këqinj, dhe janë dëshmuar se janë recidivistë. Prandaj, nuk iu beson kush, nuk duhet t’u besojë kush se janë përmirësuar. E këtë po e dëshmojnë çdo ditë e çdo natë qoftë me darka iftari, qoftë me takime të  Hashimit me qytetarë, qoftë edhe me përpjekje për të blerë vota, komisionerë etj. Ata janë po aq të këqinj, në mos edhe më shumë të këqinj se më parë, por po mashtrojnë, ashtu siç mashtronin edhe më parë qoftë me skena emocionale të përqafimeve me qytetarë, qoftë edhe me lot të ndryshëm etj. Ata janë në zor, ata kanë frikë edhe nga humbja, edhe nga demaskimi përfundimtar. Çkapja e shtetit do të sjellë shumë rezultate të tjera: forcim të shtetit ligjor, forcim i drejtësisë, dhe forcim i institucioneve të shtetit. Atëherë do të dalin pazaret që janë bërë për zhdukjen e dëshmive, për eliminimin e dëshmitarëve dhe për zhbërjen e rasteve të krimit politik dhe të krimeve të tjera që kanë kryer gjatë viteve.