Jam mësuar me zhbërje/Vargje nga Brahim Avdyli

20.04.2021 14:46:18

JAM MËSUAR ME ZHBËRJE

Jam mësuar me zhbërje

me përjashtimet e lënien mbrapsht

me daljet e kthimet nga shteti artificial

sepse artificialiteti

qenka prioritet i shetësisë.

Shtetësia e bashkuar e të qenurit zero

i ka zerot e gatshme për dhuratat e saj

nga mbledhja prej zeros së vogël

e deri te zeroja simbolike,

nga mohimi në mohim

deri në mohimin satanik të përdaljes!…

Edhe mbrenda më fusin

në burgjet e paqena të dhembjeve

kështu që ndodhet e liga e shumëzuar në limit

sa për djalin apo djalin e djalit tim,

më vëlla e paskan shkaun e zi se sa mua

të nxjerrur nga mestoka e padijes

e të përkthyer djallëzisht në engjull!…

Zotin e thërras

por ma sjellin të veshur jevigjit,

njëmijë vrima ndjenjash shtazarake

i paska prej ballit të çështjes e deri pas vetes,

më dukej se isha i dërguar prej Zot-Merkurit

në tragji-komedinë jetike të përkohshme

e asnjë të ligë nuk guxoj që ta bëj

që të më thërrasin legjendar përjetmesh!…

Në informatikën e fshehtë

duket se pesëdhjetmijë fëmijë i prishkan në një vit,

brenda këtij bashkimi bastard gufojnë

ndjenjat satanike

e vendin e quajnë vend të Zotit

por Zoti i Madh nuk duket fare gjëkundi

dhe më gllabit tërësisht neveria!…

Në vend të Zotit qenka kryemadhi i djajëve

atëherë del lakuriq edhe përkatësia

si në një lojë shtazarake të përrallave

ku, në çdo fund, e hanë Kryepersonazhin

me gajasje të liga sikur hanë darkë!…

aq vjet i bëra

në këtë strofull të vuajtjeve

i rashë rrotull e rrotull sheshit të hijenave

nga një dëm i madh pësimesh u shtua

në vorbull të shpirtit të mbledhura…

Në fund,

u mësova me zerrot e zhbërjet

e një ditë, papriturazi

do të zhbëhem

edhe nga lista e të qenurit-

jam shpirt i pastërt

por në shëmbinj të pamundësisë!…