James Madeson University ofron mundësi për studentët e Kosovës

22.06.2017 17:49:38

Studentët kosovarë nga viti i ardhshëm do të mund të ndjekin studimet për master dhe doktoratë në James Madeson University, njërin ndër universitetet me të rëndësishëm në SHBA.

Kjo do të mundësohet përmes një marrëveshje që ky universitet ka nënshkruar me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Në bazë të kësaj marrëveshje, dy studentë nga Kosova do të kenë studimet falas, derisa të tjerët do t’iu hiqen 50 përqind e shpenzimeve, derisa pjesën tjetër do ta mbulojnë vet duke punuar, qoftë si asistentë të profesorëve të këtij Universiteti, apo punë të tjera.

Mirëpo, kusht për studentët kosovar do të jetë që pas përfundimit të studimeve të kthehen në Kosovë për të kontribuuar.

Prodekani për çështje mësimore në Graduate School të James Madison University, profesor Micheal Stoloff, në prezantimin e mundësive për të studiuar në këtë Universitet, para studentëv ka shpjeguar se si ata mund të studiojnë në këtë Universitet.

Sipas tij, studentët ndërkombëtarë kualifikohen si studentë të diplomuar dhe nuk ka diskriminim.

Stoloff: 40 përqind e studentëve të diplomuar kanë fituar asistencë

“Pothuajse të gjitha universitetet në Amerikë kanë sistemin e njëjtë. Zakonisht, ju aplikoni në universitet dhe së pari pranoheni në program. Pra, çfarë duhet të bëni në fillim është që të pranoheni në programin tuaj të zgjedhur e pastaj mund të vazhdoni me aplikacionin i cili do të shqyrtohet për asistencë kërkimore, mësimdhënies dhe kështu me radhë…40 përqind e studentëve të diplomuar kanë fituar asistencë. Pra, pothuajse gjysma e të gjithë studentëve në këto programe në JMU kanë këto lloje asistencash. A mundeni ta përballoni të shkoni në JMU? A mundeni të shkoni në një universitet në Amerikë? Ndoshta, sepse ekziston mundësia që ju do të mund të keni kësisoj asistencash”, tha Stoloff.

Ai po ashtu këshilloi  studentët që të mos zgjedhin universitetin në të cilin duan të vijojnë studimet duke u bazuar në prestigjin apo famën e tij.

Sipas tij, studentët duhet të shqyrtojnë mundësitë dhe të eksplorojnë web faqet e këtyre universiteteve për t’u informuar më shumë rreth metodologjisë dhe asaj se çfarë ofrojnë.

Stoloff: Do t’i financojmë ata që përzgjidhen në bashkëpunim me MASHT-in

“Ne do t’i financojmë studentët të cilët do të përzgjidhen në bashkëpunim me MASHT-in të cilët besojmë se do të përfitojnë nga këto programe dhe do të kthehen në Kosovë për të implementuar shkathtësitë e fituara në avancimin e çfarëdo fushe në Kosovë”, theksoi ai.

Prezantimi i mundësive të studimeve në James Madison University u asistua nga Qendra për Zhvillim të Karrierës e Universitetit të Prishtinës “ Hasan Prishtina”.