Januzs Bugajski: Rusia është faktor kyç i jostabilitetit në Ballkan

21.03.2018 23:59:09

Njohësi i rrethanave në Ballkan, Januzs Bugajski, ka thënë se është ndjenjë e mirë të kthehet në Kosovë edhe pse që nga dhoma e hotelit ku po qëndron, po ndihet aroma e gazit lotsjellës, që u hodh sot në Kuvendin e Kosovës.

Autori dhe eksperti amerikan për çështjet e Ballkanit, Janusz Bugajski, tha se njerëzit e pyesin shpesh sa e njeh Kosovën. “Unë ju them që e njoh Kosovën më shumë se ju që e njihni”.

Duke folur për situatën altuale politike në Ballkan, Bugajski theksoi se Kosova nuk është njohur ende nga disa shtete, derisa Serbia po mundohet të hyjë në BE.

“Është Maqedonia e cila ka ngelur edhe për shkak të emrit, pastaj është edhe Bosnja e cila po ashtu ka ngecur. NATO është faktor kyç për stabilitetin e rajonit në Ballkan. Rusia ka qenë një nga faktorët kyç të jostabilitetit që ka ndikuar nga jashtë”, deklaroi Bugajski .

“Ju jeni shumë të rinj për të kujtuar luftën në Kosovë, luftë e cila nuk ishte mes dy apo tri ushtrive, por ishte mes një ushtrie dhe një populli civil. Serbia ka gjithmonë prapa Rusinë. Nëse je në luftë me Serbinë i bie që je në luftë edhe me Rusinë. Çfarëdo konflikti i nisur në Maqedoni do të prekte edhe Shqipërinë, sikurse edhe shqiptarët në Maqedoni. Çdo konflikt i nisur në cilindo shtet të Ballkanit do të ishte prishje e stabilitetit për të gjitha shtetet”, tha ai.