Jasharaj, ministrit Bajrami: Ministër, kujdes çka po flet! (Video)

24.09.2016 13:04:25

Sindikata e Bashkuar e Arsimit (SBASHK) ka reaguar pas deklarimeve të ministrit të Arsimit, Arsim Bajrami se mësimdhënësve të cilët kanë punuar në vitet e ’90-ta nuk mund të presin dekorata. Sindikalistët thonë se këto deklarime të pa matura, nga një ministër që kohë më parë pati deklaruar të kundërtën për ata që punuan gjatë viteve të regjimit serb në Kosovë, i kanë revoltuar mjaftë mësimdhënësit.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, tha për Kosovapress se deklarata e kësaj javë e thënë nga ministri Arsim Bajrami, ndër të tjera ka edhe elemente ironike.

“Deklarata e ministrit dhe përmendja e dekoratave është pritur keq nga mësimdhënësit dhe ka një jehonë të keqe dhe ka elemente ironike. Unë po e them dhe e kamë thënë gjithmonë, mësimdhënësit e asaj kohe nuk kanë pritur nga shteti ynë që në mënyrë fizike t’i dekorojë dhe t’iu ndaj medaljone, por që t’ua njoh dhe t’ua shpërblejë me aq sa ka mundin dhe sakrificat që i kanë bërë në vitet ’89-’99”, ka deklaruar Jasharaj.

Kryetari i SBASHK-ut ka thënë se mësimdhënësit në atë kohë nuk kanë punuar pse nuk kanë pasur se çka të bëjnë, pasi sipas tij edhe ata kanë pas mundësi t’i bashkohen “lumit të gjatë të të shpërngulurve drejt kurbetit”, por kanë qëndruar në Kosovë për të punuar për një ideal, i cili ka qenë mbajtja gjallë e shkollimit shqip dhe ruajtja e nxënësve e fëmijëve të asaj kohe.

“Pra e kryem atë detyrë në emër të idealit, në emër të shpresave për të ardhmen dhe për t’i mbajtur fëmijët tanë që të mos dalin rrugëve të bredhin në atë kohë të rrezikshme, por të jenë me ne në shkollë. Ne në atë kohë u përballem edhe me dhunën por edhe me helmimet e nxënësve dhe asnjë mësimdhënës nuk i la nxënësit e helmuar vetëm por i dërgoi në ambulanca dhe spitale, këtë e kemi bërë për hir të atdheut dhe për hir të nxënësve që të mos mbesin pa shkollë”, është shprehur Jasharaj.

Ai tha se po të mbylleshin shkollat në atë periudhë, atëherë i bie që për dhjetë vjet rresht gjenerata të tëra do të mbeteshin pa shkollim në shqip, dhe për këtë ai thotë se ministri Bajrami dhe Qeveria duhet të kenë kujdes se çfarë flasin.

“E kujtoj ministrin Bajrami dhe Qeverinë se po të mbylleshin shkollat dhe po të niseshim ne si lumi tjetër për të shkuar në kurbet, atëherë pas luftës i bie që fëmijët, po e them në thonjëza, në klasën e parë do të shkonin në moshën 17 vjeçare. Sepse po flas për dhjetë vite, që asnjë sekondë nuk e humbëm asnjë orë mësimi. Prandaj shteti ynë nëse nuk mund të na ndihmoj materialisht, së paku le të ketë kujdes çfarë po flet”, është shprehur Jasharaj.

Reagimi i SBASHK-ut ka ardhur pasi ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, këtë javë deklaroi në Kuvendin e Republikës së Kosovës se ‘ata mësimdhënës tashmë nuk mund të shpërblehen me dekorata’.

Ministri Bajrami këtë koment e kishte bërë pasi ishte pyetur nga deputetët se pse ky ligj nuk po gjen zbatim tash e sa vite, edhe pasi është hartuar.

“Më shumë se përfitimet materiale ky ligj ka efekte moral, njohja e punës së sistemit arsimor, edhe një herë po e përsëris atë që mbeta në gjysmë. Ky ka qenë një projekt i rezistencës kombëtare kur mësimdhënësit e kanë luajtur rolin që duhet ta kenë luajtur. Nuk ka pas alternativë tjetër për neve si mësimdhënës, përveç që të punojmë edhe në kushte të vështira dhe natyrisht ne kemi të drejtë të kërkojmë që puna jonë të vlerësohet, por jo të marrim tash shpërblime dhe dekorata për këtë punë, sepse kjo ka qenë pjesë e rezistencës kombëtare. Ne nuk kemi pas zgjidhje tjetër, o është dashtë të punojmë në shtëpi private ta mbajmë universitetin o është dashtë ndoshta të bëmë siç kanë bërë një pjesë e kolegëve të shkojmë dhe të punojmë bashkë me pushtetin okupues serb. Por, ne e kemi zgjedhë këtë, jo si zgjidhje e jona, por si pjesë e konceptit të rezistencës politike për mbajtjen gjallë të frymës së rezistencës për jetësimin e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe mbi bazën e Kushtetutës së Kaçanikut të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar ministri Bajrami.

Projektligji për mësimdhënësit të cilët kanë punuar gjatë periudhës 1989-1999 në vendin tonë, parasheh një kompensim solid në shenj falënderimi për punë e mësimdhënësve të bërë gjatë periudhës së okupimit serb në Kosovë, kur mësimi është zhvilluar kryesisht në shtëpi private dhe fshehurazi nga pushteti i atëhershëm.

Ky projektligj edhe pse është hartuar nga MASHT së bashku me SBASHK-un në vitin 2013, ende nuk është proceduar për miratim në Kuvendin e Kosovës me arsyetimin se Qeveria nuk ka buxhet për një gjë të tillë. /Telegrafi/