Java e shëndetësisë: Mjekët turq operojnë rastet më të komplikuara

Java e shëndetësisë: Mjekët turq operojnë rastet më të komplikuara

21.02.2017 10:29:11

Dje në Prishtinë ka filluar “Java e Shëndetësisë, Turqi-Kosovë”, e cila po organizohet për herë të katërt në Prishtinë si rrjedhojë e bashkëpunimit ndërmjet Ministrive të Shëndetësisë së dy vendeve tona.

Kjo javë do të zgjasë deri më 26 shkurt, kurse gjatë kësaj periudhe ekspertët më eminentë  të shëndetësisë nga Turqia, bashkë me ekipet e mjekëve nga QKUK-ja do të shkëmbejnë përvojat e tyre dhe do të kryejnë intervenime në fushën e kardiologjisë, kardiokirurgjisë së të rriturve dhe fëmijëve, anestezionit dhe mjekimit intensiv, kirurgjisë së fëmijëve, obstetrikës me gjinekologji, kirurgjisë plastike dhe rekonstruktime, urologjisë, kirurgjisë abdominale, oftalmologjisë dhe infermierisë.

Për të folur për “Javën e Shëndetësisë” në emisionin “Mirëmengjesi Kosovë” në RTK1 ishin mysafir Kadir Hyseini, zëvendësministër i shëndetësisë dhe Oner Guner nga ministria e Shëndetësisë së Turqisë. Zëvendësministri Hyseini ka thënë se çdo vit ky bashkëpunim me palën turke po shkon mirë e më mirë.

“Ekspertët turq kanë ardhur më 17 shkurt dhe menjëherë më 18 shkurt kanë filluar vizitat tek pacientët, ku është hartuar edhe programi i intervenimeve kirurgjike. Ndërkohë, dje pas hapjes zyrtare të ‘Javës së Shëndetësisë’ kanë filluar edhe operacionet e para, ku janë kryer dy intervenime në zemër të hapur, tek një vajzë 5-vjeçare dhe tek një 55-vjeçar. Intervenimet bëhen tek pacientët që janë raste më të rënda dhe më urgjente”, ka theksuar Hyseini.

Ai më tej ka bërë të ditur se si zakonisht edhe këtë vit pritet që të tejkalohet numri i rasteve të planifikuara ku do të intervenohet, pasi gatishmëria e mjekëve turq, por edhe e atyre të QKUK-së është që të ndihmohen sa më shumë pacientë që është e mundshme. Hyseini e ka quajtur shumë të rëndësishme këtë javë, duke pasur parasysh se mjekët tanë kanë mundësi të shkëmbejnë përvojat dhe njohurit e tyre me ekspertët turq.

Në anën tjetër, Oner Guner është shprehur i lumtur që edhe këtë vit iu ka dhënë mundësia të punojnë së bashku me mjekët e Kosovës dhe t’i shkëmbejnë njohurit e tyre. “Jemi shumë të kënaqur që jemi këtu me njerëz shumë miqësor të Kosovës.  Jemi duke e zgjeruar përvojën tonë me kolegët tanë. Ne dimë se me shkëmbimin e këtyre eksperiencave  krijohet një marrëdhënie edhe më e mirë mes dy vendeve. Ne mund të mësojmë shumë nga njëri – tjetri. E dimë se kemi shumë kirurg të mirë dhe mjek të mirë në Kosovë dhe në bashkëpunim me ta ne i shikojmë pacientet dhe merremi me ta. Ne kryesisht bëjmë intervenime tek ato raste që janë më të komplikuara dhe nuk kanë pasur mundësi të mjekohen këtu në Kosovë apo vendet e rajonit për shkak të mungesës teknike dhe përvojës në ato intervenime”, ka theksuar Guner.

Ai ka thënë se menjëherë pas ardhjes në Prishtinë kemi filluar konsultimet dhe operacionet e përbashkëta. “Pritjet tona janë të shohim kënaqësi në fytyrën e pacientëve. Të gjithë mjekët sakrifikojnë shumë në sferën e shëndetësisë dhe është me rëndësi që t’i shërbehet njerëzve dhe ta përmirësojmë jetën e tyre”, ka shtuar eksperti turk.

Ai tutje ka thënë se në Kosovë nuk ka mungesë të teknologjisë dhe as të infrastrukturës, por ka disa raste të komplikuara, siç ndodh të ketë edhe në Turqi, për çka vijnë ekspertë nga vende tjera. Guner po ashtu ka thënë se ka udhëtuar shumë dhe sipas tij shumë vende kanë mangësi më të mëdha se sa Kosova në shëndetësi.

“Duke pasur parasysh se ju jeni shtet 9 vjeçar keni  një statistikë shumë të mirë shëndetësore, gjë të cilën nuk mund ta shihni as në disa shtete të zhvilluara evropiane. Natyrisht se ka probleme, por jeni në binarët e duhur. Popullata juaj është shumë e vogël, është sa një krahinë e Turqisë. Ne vetëm në një krahinë kemi më shumë probleme sa në tërë Kosovën”, ka nënvizuar Guner. Projektet e bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, sipas zëvendësministrit Kadir Hyseini do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, ku qysh më 26 shkurt në Izmir do të udhëtojnë 20 punëtor të Emergjencës, të cilët do të trajnohen në Qendrën për Evropën Juglindore.