Je kryeministër i shtetit shqiptar, mos luaj me ndjenjat e shqiptarëve për llogari të Serbisë!

19.02.2018 11:52:01

Nga Rexhep Kastrati

Edi Rama, së fundmi ka folur për një president të përbashkët, duke e përdhosur një ndjesi të ligjshme të shqiptarëve kudo që janë.

Edi Rama e di se president i përbashkët në aspektin politiko-institucional dhe juridiko-kushtetues, por edhe diplomatik nuk mund të ketë, për aq kohë sa të dy shtetet, dhe shqiptarët në shtetet tjera të dala nga ish-Jugosllavia kanë sisteme politike-shtetërore të ndryshme, për aq kohë sa ka një sistem parlamentar që presidentin e zgjedh Kuvendi, për aq kohë sa ndryshimi i kufijve ndërmjet shteteve në rajon është i kundërshtueshëm dhe po kundërshtohet fort.

Prandaj, Edi Rama, siç di të bëjë zakonisht, tregohet pehlivan i manipulimit me ndjenjat e qytetarëve, ashtu siç Albini tregohej pehlivan për manipulimin e qytetarëve me retorika pseudonacionaliste, e të cilat i shkojnë për shtat vetëm armiqve të shqiptarëve.

Dhe për ironinë më të madhe, Edi Rama, zgjedh pikërisht përvjeotrin e pavarësisë së Kosovës, për të shpërfaqur ide që kanë nxitur një debat mbi bazën e emocioneve, e jo mbi bazën e një qasjeje kritiko-racionale.

Edi Rama, në fakt, veçsa ka hedh një gur në rehabilitimin e idesë për ndarjen e Kosovës, e që po paraqitet si shkëmbim territoresh, e cila në planet serbe është e hershme dhe bazë e anagzhimit të Serbisë dhe jo vetëm të saj.

Është e qartë se zhvillimet në rajon kanë arritur pikun kur Serbisë i duhet të heqë dorë nga Kosova, dhe kështu të ballafaqohet me pasojat e brendshme politike, fetare, shkencore dhe socio-historike, e që e ka shumë të vështirë, prandaj edhe ka bërë dhe po bën gjithçka që të nxisë ndryshimin e kufijve në rajon, e që nënkupton ndarjen e Kosovës, shkëputjen e Republika Srpskës në Bosnjë, por edhe ndarjen e Maqedonisë.

E debatet e tilla që i nxit Edi Rama, Albin Kurti, Hashim Thaçi dhe soji i tyre vetëm sa i forcojnë ambiciet dhe lehtësojnë skenarë për ndryshimin e kufijve në dëm të shqiptarëve.

Platforma e Tadiqit e vitit 20011 ka në thelb ndarjen e Kosovës, të cilën e paraqet si bashkim të Kosovës me Shqipërinë, duke marrë një pjesë të Kosovës.

E Edi Rama, që Boris Tadiqin e ka kumbarë të bashkimit më Ilir Metën, më 2013 në Shkodër, duket se dëshiron të mbetet në histori si personaliteti që punoi fort për ndryshimin e kufijve në rajon në dëm të shqiptarëve.

Mirëpo, shqiptarët duhet ta refuzojnë këtë, pasi që bashkimi i vërtetë i shqiptarëve mund dhe duhet të bëhet vetëm siç e ka parashikuar presidenti Rugova dhe vetëm pasi që të tjerët do të fillojnë vetë të ndryshojnë kufijtë.

Secili shqiptar duhet të mendojë mirë: pse Kroacia dhe Serbia nuk flasin për zgjedhje të presidentit të përbashkët për kroatët dhe për serbët, por ndjekin politika që konsisotjnë në forcimin dhe konslidimin e tyre si shtete?

Në këtë fazë, duhet të punohet fort për fuqizimin e faktorit shqiptar në rajon, në zhvillim ekonomik, në konsoldim të shteteve tona në rajon dhe të shqiptarëve në Maqedoni, Kosovë Lindore, Mal të Zi, dhe të kemi një kujdes të madh për çështjen çame.

Bashkimi kombëtar është e drejtë legjitime dhe një ditë do të ndodhë. E kjo ditë do të vijë aq shpejt sa ne do të dimë të mos biejmë në kurthet e të tjerëve, dhe aq sa do të dimë të kemi durim dhe mençuri për të përfituar nga gabimet e të tjerëve.