Jehona pozitive e Konferencës shkencore rreth trashëgimisë kulturore në Luginë të Preshevës  

12.07.2018 09:30:48

Nga  Sevdail Hyseni

Gjatë javës së dytë të korrikut, Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore, në Preshevë e drejtuar nga profesor Xhemaledin Salihu, i përmbylli me sukses punimet shkencore, dyditore, me temë: “Trashëgimia kulturore jomateriale shpirtërore e Luginës së Preshevës dhe viseve shqiptare”.

Seanca e parë e Konferencës shkencore, i filloi punimet, të premten e 6 korrikut, me një minut heshtje në nderim të heronjve të kulturës shpirtërore: Mehmet Latifi, Zeqirja Fazliu dhe Demir Behluli, të cilët me veprat  e tyre jetësore i dhanë frymë  kombëtare Preshevës me rrethinë.

Në falën hyrëse të kësaj konference, njeriu i parë i Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore, profesor Xhemaledin Salihu, përshëndeti konferencierët dhe gjithë ata që kontribuan në mbarëvajtjen e këtij evenimenti të lartë shkencor.

Në veçanti profesor Salihu, pati kënaqësinë të përshëndet kryesinë e punës:  Prof. Dr. Nebi Islami, Dr. Rovena Vata, pastaj ligjëruesit: Prof. dr. Nebi Dervishi, Dr. Hamdi Nebiu, Avokat Agron Isa Gjedia, PHD Mustafe Haziri etj, pjesëmarrësit e konferencës: Shukri Ymeri, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, deputeti popullor Fatmir Hasani, delegacionet nga Tirana, Struga, Tetova, Shkupi, Mitrovica, Gjilani e Bujanoci, si dhe donatorët e konferencës: Qenan Haxhi Vlora Hamdiu, anëtarët e kryesisë së Fondit Humanitar nga Zvicra e shumë sponsorë të tjerë nga Presheva e rajoni, adhurues të kulturës shpirtërore dhe materiale.

Në ekspozenë e tij prof. Salihu, potencoi se Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore, që nga themelimi i veprimtarisë së saj tetë vjeçare, ka pasur për qëllim: hulumtimin, gjurmimin, evidentimin, regjistrimin, ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe asaj natyrore, zhvillimin dhe kultivimin e krijimtarisë kulturore dhe mbrojtjen dhe ruajtjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

“Misioni i Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore, që ka për bazë mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë dhe kultivimin e kulturës shqiptare, gjatë këtyre tetë vjetëve të veprimtarisë së saj ka organizuar dhe zhvilluar 8 konferenca shkencore, ka botuar 8 libra shkencorë, si dhe ka realizuar dy projekte madhore dhe qindra kumtesa të publikuara nëpër revista letrare e mjete të tjera të informimit”, theksoi, mes tjerash, në fjalën hyrëse të konferencës profesor Salihu.

Larushia e temave përmbajtësore të konferencës, të trajtuara gjatë tre seancave të saj dyditore, nga studiues të ndryshëm, shpalosi vlerat e trashëgimisë sonë kulturore në: zejet e artizanatet, veshjet tradicionale të disa viseve shqiptare, temat nga letërsia, dasmat, mitologjia, religjionet dhe kultura fetare, ritet dhe doket, besimet popullore etj. 

Qëllimi parësor i Konferencës ishte shqyrtimi dhe trajtimi shkencor i trashëgimisë kulturore jomateriale shpirtërore në Luginë të Preshevës dhe viseve të tjera shqiptare, të cilat paraqesin një minierë të pasur të thesarit tonë kulturor, të pashfrytëzuar sa duhet në aspektin shkencor. Andaj, synimi i konferencës, ishte që në suaza të mundësive të studiuesve pjesëmarrës, ta trajtojnë dhe shqyrtojnë me metoda shkencore kulturën shpirtërore jomateriale në Preshevës dhe viset përreth.

Po ashtu, e veçanta e kësaj konference është përmbledhja e të gjitha kumtesave të studiusve, në një libër të përbashkët, duke vlerësuar lartë shkëmbimin e përvojave të ndërsjella, komunikimin dhe vizionin për vazhdimin e kësaj tradite në fushën e kërkimit shkencor të trashëgimisë kulturore dhe jomateriale në Luginë të Preshevës dhe viseve të tjeta të etnikumit shqiptar.

Vlen të ceket se kjo është konferenca e tetë me radhë e Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore, në Preshevë,  e cila e ka kthyer në traditë organizimin dhe mbajtjen e konferencave dhe karakter shkencor.