Jeta e trimit të “harruar”, që luftoi osmanët dhe serbët: Lindi në burg të Prishtinës, u vra në tradhti nga njerëzit e tij (Video)

08.07.2017 21:22:22

Ka qenë një prijës që theu trupat osmane e më pas ato serbe, e megjithatë historia e tij ka mbetur gjithmonë e mjegullt. Nuk dihet se përse gjithmonë për të është folur jo thjesht pak, por edhe pse është anashkaluar apo fshirë nga momente të caktuara historike.

Ai ishte një djalë që lindi në qeli, sepse babai dhe nëna e tij ishin të burgosur pas pjesëmarrjes në disa kryengritje antiosmane të kohës. Kështu nisi jeta e lumjanit Ramadan Zaskocit (1860 -1914), që vazhdoi e tejmbushur me beteja të mëdha për çështjen kombëtare.

Ishte nga Mamzi, ka marrë pjesë në lëvizjen kundër Mehmet Ali pashë Maxharrit në Prizren e Gjakovë (1878), në mbrojtjen e tokave shqiptare nga malazezët (1879) dhe në luftimet kundër ushtrive osmane (1881). Ai ishte në krye të malësorëve lumjanë, në luftimet kundër forcave osmane që hynë në Lumë në dhjetëvjeçarin e parë të shekullit të XX (1903 -1904, 1909, 1910) dhe atyre të Serbisë në nëntor 1912. Qe ndër udhëheqësit e kryengritjes së shtatorit 1913 kundër pushtuesve serbë.
Zaskocit familjen ia masakruan, shtëpinë ia dogjën disa herë si hakmarrje për humbjet që u shkaktoi osmanëve e më pas serbëve. Tentuan ta joshnin me para e pushtet, por e ndalën veç me tradhti. Ai vritet nga shqiptarët e paguar nga serbët.

Para se ti pushonte zemra, thuhet se shokëve ua la këtë “amanet”: “Dëgjoni burra! Unë nuk kam me fuqi. Plagët më kanë rëndu shumë dhe po ma shkurtojnë jetën. Ju duhet ta vazhdoni deri në fund luftën që kemi nisur kundër pushtuesve serbë. Spastroni nga radhët tona agjentët dhe tradhtarët që janë shitur për para dhe vazhdojnë të bashkëpunojnë me serbët”!