Jo-sinqeriteti i Haradinajt: Ftesa e Speciales apo presioni ndërkombëtar e bëri të japë dorëheqje?

06.09.2019 22:29:20

Kryeministri në dorëheqje Haradinaj hoqi dorë nga posti i tij rreth dy muaj më parë.

Kjo dorëheqje e Haradinajt e ka futur Kosovën në situatë të re politike – ku tani më 6 tetor do të mbahen zgjedhje të parakohshme.

Kryeministri tani në dorëheqje, në fjalimin e tij në momentin e informimit të qeverisë dhe opinionit për vendimin e heqjes dorë nga posti i të parit të qeverisë tha se kjo bëhet për arsye të ftesës që kishte pranuar nga Specialja.

“Arsyeja e këtij vendimi është se kam marrë thirrje të paraqitem për t’u marrë në pyetje nga Dhomat e Specializuara në Hagë si i dyshuar “, tha Haradinaj në fjalim.

Më tutje, Haradinaj kishte thënë se nderi i kryeministrit dhe shtetit duhet të ruhet dhe se në Gjykatën Speciale do të paraqitet si Ramush e jo si kryeministër.

“Nderi i Kryeministrit dhe Shtetit duhet të ruhet dhe unë nuk e poshtëroj asnjëherë. Në Hagë si Ramush Haradinaj do t’i dal përball shpifësve ashtu si e kërkon nderi I luftëtarit shqiptar”, tha aso kohe Haradinaj.

Por, tani, kryeministri në dorëheqje do t’i futet përsëri garës për të marrë postin e kryeministrit si kandidat nga koalicioni AAK – PSD.

Gjykata Speciale ishte arsyeja e dorëheqjes së Haradinajt në ditën që ndodhi, por, para rreth një jave, vet ai ka dhënë krejt një tjetër arsye për këtë gjë.

Ai në një intervistë për RTV21 para një jave është shprehur se ka qenë presioni i ndërkombëtarëve që e ka çuar në dorëheqje qeverinë.

“Vendet e QUINT-it, janë të respektuara, dhe janë aleatë të Kosovës dhe janë të interesuara për marrëdhënie të mira me Serbinë. Por ata duhet ta kuptojnë se nuk ka hapësirë më, as për t’i bërë presion Kosovës, sepse me këtë presion e detyruan Qeverinë të japë dorëheqje, me masa të çuditshme, e çka tjetër”, deklaroi Haradinaj.

Madje, Haradinaj vazhdoi edhe më tutje duke thënë se nuk mund ta bindin me presion.

“Nëse duan destabilizimin e Kosovës, ose kthimin e krizave në Ballkan, edhe mund ta bëjnë. Por ashtu nuk fiton askush, as Kosova, as rajoni, e as Bashkësia Ndërkombëtare. Ata kanë mbërri në atë fundin, nëse duan mund të na mbysin, por me presion më nuk mund të na bindin. QUINT-i duhet ta kthejë presionin ndaj Serbisë, e cila në mënyrë joparimore ka vënë kusht vetëm për të filluar dialogu po thotë hiqe taksën. E çka do të kërkojë atëherë për njohje, nëse vetëm për të filluar dialogu e kërkon tregun”, tha Haradinaj.