Johannes Hahn: Një miliardë euro për Ballkanin Perëndimor”

12.07.2017 12:07:13
Johannes Hahn, Member of the EC in charge of Regional Policy
Qëllimi i investimeve në Ballkan është ndërlidhja më e mirë e përgatitja e këtyre vendeve për anëtarësim në BE, pohon në intervistë ekskluzive për DW-n, komisioneri Johannes Hahn. Ai flet edhe për projekte konkrete.

Deutsche Welle: Zoti Hahn, a ka impulse të reja dhe pritje pozitive për samitin në Trieste? Muajt e fundit në raportet mes Ballkanit Perëndimor dhe BE ka pasur vështirësi të shumta.

Johannes Hahn: Unë mendoj se samiti në Trieste është përgatitur në mënyrë të mrekullueshme nga nikoqirët italianë. Ne jemi përpjekur që në këtë samit të kemi sa më shumë rezultate konkrete. Për shembull, kemi përgatitur për nënshkrim një marrëveshje për transportin. Kjo do të thotë se vendet e Ballkanit Perëndimor do të ndërlidhen me ligjet  e BE – që forcon edhe raportet ekonomike dhe i jep impulse të reja rajonit. Ne do të miratojmë një radhë projektesh në fushën e transportit, respektivisht energjisë, në vlerë prej rreth 200 milionë euro, që në fund mund të rezultojnë me investime në vlerë prej rreth 540 milionë eurosh. Këtu është shumë me rëndësi që të krijohet edhe baza për rritjen ekonomike në rajon dhe për një tregti ndër-rajonale, ku ka shumë potencial. Ne mendojmë se në vitet e ardhshme në këtë rajon do të hapen rreth 80.000 vende të reja pune.

Këto janë lajme të mira, po ku ka më së shumti pengesa?

Po, si gjithmonë në rajon, më së shumti ka probleme me afatet kohore për zbatim. Ka shumë premtime, shumë pëlqime, por zbatimi i marrëveshjeve është më i ngadalshëm. Këtu kërkohet më shumë angazhim. Por kjo është gjendja në rajon dhe me këtë jemi mësuar. Tek e fundit, qëllimi është që 20 milionë banorëve të atjeshëm t’u hapet një perspektivë, të sigurohet stabiliteti, dhe nëse doni – të garantohet paqa në rajon.

Stabilitet, siguri, prosperitet ekonomik – të gjitha këto i përmendët, por jo edhe demokracinë. Shumë shpesh thuhet se me projektet e BE-së po forcohen tepër strukturat autokratike në rajon. Cilat janë argumentet tuaja kundër këtyre pohimeve?

Kur flas për stabilitetin, natyrisht që kjo nënkupton edhe forcimin e demokracisë. Nëse njerëzit nuk mund të shprehin mendimin e tyre të lirë, nëse nuk janë të lirë në veprim, atëherë nuk mund t’i gëzojnë këto vlera, të cilat Evropën e bëjnë kaq unike. Ky është edhe shkaku pse Evropa është kaq atraktive edhe për vendet e Ballkanit, të cilat duan që një ditë të anëtarësohen në BE. Zhvillimi ekonomik është i mundur vetëm nëse funksionon shteti juridik. Kjo sepse askush nuk do të investojë para në rajon, as investitorët e rajonit as ata nga vendet e BE, nëse p.sh. nuk funksionojnë si duhet organet juridike.

Në samitin e sotëm do të prezantohen projekte konkrete. Cilat?

Ne kemi përgatitur konkretisht gjashtë projekte për trafikun, si në fushën e rrugëve ashtu edhe hekurudhave. Projekti hekurudhor i njohur si “Korridor 8”, që ndërlidh Lindjen me Perëndimin, nga Bullgaria deri në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Më pas ajo mund të vazhdojë edhe për Shqipëri. Ne kemi parasysh edhe rrugët ujore mes Bosnje-Hercegovinës dhe Serbisë. Këtu bëhet fjalë në radhë të parë për ndërtimin e porteve. Të gjitha këto janë të rëndësishme. Apo dhe projekte të ndryshme për ndërtimin e rrugëve, si për shembull mes Bosnje-Hercegovinës dhe Kroacisë. Këto janë investime vendimtare, por që duhet të realizohen. Në fushën e transportit do të japim në dispozicion rreth 145 milionë euro, që mund të shkaktojnë investime të përgjithshme deri në 450 milionë euro. Një projekt tjetër në fushën e energjisë është “Interconnector”, një linjë e përçimit të gazit mes Serbisë dhe Bullgarisë. Një investim prej rreth 50 milionë eurosh.

Zhvillimi ekonomik, marrëveshjet për transport – të gjitha këto tingëllojnë gati si anakronike nëse shikojmë konfliktet e hapura në raportet mes vendeve të këtij rajoni. Si do t’i zgjidhni këto probleme të mëdha?

Ky është në fakt edhe sharmi i këtij procesi, sepse ne themi: ne duam t’i bashkojmë të gjitha gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor së bashku, pavarësisht nga niveli që kanë arritur në procesin e anëtarësimit të ardhshëm në BE. Ne konkretisht jemi duke zhvilluar negociata me Serbinë dhe Malin e Zi, me të tjerat jemi shumë larg. Por me përpjekjet tona që këto vende, të cilat janë të rrethuara nga anëtaret e BE-së, t’i fusim në infrastrukturën e BE-së në transport dhe në energji, krijohet një bazë për futjen e tyre në struktura të BE-së. Në këtë mënyrë krijohet edhe baza për zgjidhjen e njërit apo tjetrit konflikt, apo të paktën që të zhvillojmë një perspektivë, e cila mund të funksionojë në të ardhmen.

Cilët janë hapat që duhen ndërmarrë pas samitit?

Marrëveshjet duhet të zbatohen. Unë këtë vit kam marrë pjesë në fillimin e dy projekteve për ura, në Bosnje Hercegovinë dhe Kroaci, por edhe në Serbi. Edhe në sektorin e energjisë kemi financuar disa projekte, që duhet të ndërlidhin Malin e Zi me Italinë por edhe Malin e Zi – përmes vendeve të Ballkanit – me Rumaninë. Këtu në Trieste do të ndodh diçka shumë konkrete: bëhet fjalë për ndihmën e sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Në kuadër të samitit do të nënshkruhet një marrëveshje për ndarjen e një buxheti prej 48 milionë eurosh, që mund t’u ndahen si kredi rreth 6000 sipërmarrjeve. Pra kemi të bëjmë me projekte shumë konkrete që duhet të ndihmojnë zhvillimin ekonomik. Ne me siguri që do të përgatisim projekte konkrete edhe për samitin e ardhshëm. Sepse deri në fund të kësaj dekade duam të ndajmë rreth një miliardë euro, për të arritur diçka në këtë rajon…

…që këto vende të futen në BE?

…që këto vende të përgatiten për një kalim sa më të lehtë deri në BE.

Johannes Hahn është prej vitit 2014 komisioner i BE për Politikë Fqinjësore dhe Negociata për Zgjerimin.