Joshua merr edhe gjerdanin e WBO, fiton për herë të parë me pikë

01.04.2018 18:47:25

Anthony Joshua ka marrë në duar një tjetër gjerdan që i mungonte, atë të federatës WBO. Britaniku mposhti për herë të parë me pikë një kundërshtar në karrierën tij si profesionist duke qenë se deri më tani kishte triumfuar vetëm me “knock-out” në 20 takimet e zhvilluara.

Dueli përballë Joseph Parker që u mbajt nën vëzhgimin e 78 mijë spektatorëve në “Principality Stadium” të Cardifit nuk i përmbushi pritshmëritë përsa i përket spektaklit duke qenë se tërësi ishte një përballje e mërzitshme.

Boksieri nga Zelanda e Re u kujdes gjatë gjithë kohës t’i shpëtonte goditjeve të kampionit të botës në peshat e rënda dhe ia doli që për 12 raunde të mos rrëzohej në tapet , ndoshta ky ka qenë objektivi i vërtetë i 26-vjeçarit dhe jo fitorja sepse në aspektin e pikëve suksesi i Joshuas ishte absolut. Vendimi i gjyqatrëve ishte unanim dhe nuk kishte vend për asnjë dyshim.

28-vjecari nga Watfordi tashmë është kampion I botës në federatat WBA, IBF, IBO dhe WBO. Në përfundim të duelit anglezi i hapi dyert supersfidës ndaj Deontay Wilder, i cili zotëron titullin kampion në WBC, por me kushtin që dueli ndaj amerikanit të zhvillohet në Britani, në krahun tjetër 32-vjeçari nga Alabama ka lëshuar një deklaratë të fortë duke u shprehur së kërkon që në rekordin e tij personal të ketë një boksier që ka humbur jetën në ring, mesazhin për Joshuan është i qartë dhe tashmë lufta mes të dyve është me hapur se asnjëherë.