Junker: Trump, rrezik për marrëdhëniet BE-SHBA

12.11.2016 18:15:59

Presidenti i Komisionit të Bashkimit Evropian Jean-Claude Juncker tha se presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump përbën rrezik për marrëdhëniet mes BE-së dhe Shteteve të Bashkuara.

Zoti Junker u tha studentëve në një konferencë mbrëmë në Luksemburg se Trump duhet të mësojë më shpejt sesi funksionon Evropa për të mënjanuar dy muaj humbje kohe kur të marr presidencën në janar.

“Në përgjithësi, klasa politike dhe Shtetet e Bashkuara nuk kanë shumë interes tek Evropa. Zoti Trump ka thënë gjatë fushatës së tij se Belgjika është një fshat i vogël i Evropës. Është tamam ashtu në se e sheh nga larg por kjo nuk reflekton realitetin. Pra na duhet ta mësojmë presidentin e zgjedhur kush është Evropa dhe si funksionon ajo.”

Juncker i kujtoi audiencës së tij se Trump kishte ngritur pikëpyetje mbi Naton që mund të ketë “pasoja të dëmshme” pasi është modeli i mbrojtjes së Evropës.

“Ai vuri në pikëpyetje aleancën Trans-Atlantike, e cila në fakt është mjaft e nevojshme, pra vuri në pikëpyetje modelin e mbrojtjes së Evropës. Për sa u përket refugjatëve dhe të bardhëve jo-amerikanë, Trump ka një qasje që në asnjë mënyrë nuk përkon me bindjet dhe ndjenjat në Evropë. Mendoj se do të harxhojmë dy muaj para se zoti Trump të mësojë për këtë pjesë të botës.”

Komentet e zotit Juncker bien në kontrast me reagimet më diplomatike të udhëheqësve të tjerë evropianë që kanë thënë se mezi presin të punojnë me presidentin e ardhshëm republikan.

Të mërkurën, pas fitores së zotit Trump, zoti Juncker dhe presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk e ftuan atë në një samit BE-SHBA për të diskutuar çështje përfshi terrorizmin dhe Ukrainën.