JUSUF GËRVALLA U PËRPOQ PËR BASHKIMIN E FAKTORËVE POLITIKË SHQIPTARË

22.01.2019 18:12:03

Lëvizja jonë kombëtare parashikonte se me vdekjen e Titos, Jugosllavia do të shkatërrohej si pasojë e luftës pa kompromis në mes shovenizmit serb dhe nacionalizmit kroato-slloven dhe luftës së drejtë të shqiptarëve për çlirim dhe bashkim kombëtar. Për të mos e gjetur të pa përgatitur popullin tonë momenti i duhur, kur duhet të bëhet” dasma”, u krijuan disa organizata ilegale në Kosovë: “Lëvizja Nacional Çlirimtare e Kosovës dhe e Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi” (LNÇKVSHJ) e udhëhequr nga Metush Krasniqi, Jusuf Gërvalla, Sabri Novosella, e të tjerë, ishte një Organizatë që për ideologji kishte për bazë nacionalizmin shqiptar, ndërsa” Partia Komuniste Marksiste Leniniste e Shqiptarëve në Jugosllavi”, (PKMLSHJ) e udhëhequr nga Avdullah Prapashtica, Osman Osmani etj. dhe ” Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës” (OMLK) e udhëhequr nga Hydajet Hyseni, Kadri Zeka etj. udhëhiqeshin nga ideologjia e proletariatit ruso-orthodoks ( marksizëm- leninizmi), që kishin dallime të mëdha në çështje oranizative dhe çështje tjera me LNÇKVSHJ.
Siç dihet para dhe pas demonstratave të “81-it në Evropën Perëndimore kishin ikur për t`iu shpëtuar ndjekjeve dhe arrestimeve udhëheqës dhe veprimtarë të organizatave ilegale. Në këto rethana ishte aktuale bashkimi i të gjitha organizatave ilegale në një Front të përbashkët veprimi dhe organizimi. Në fillim bisedimet për atë qëllim i nisën në Kosovë Metush Krasniqi dhe Hydajet Hyseni. Ata pasi nuk arritën bashkimin e organizatave të tyre, për shkak të rrethanave objektive, vendosën që ato të vazhdohen jashtë atdheut në Evropën Perëndimore. LNÇKVSHJ mbronte qëndrimin se të gjitha organizatat ilegale duhet të arrijnë bashkimin duke u shkrirë në një organizatë të përbashktë, që do të udhëheqej nga një udhëheqje e vetme e dalë nga përfaqësuesit e organizatave që do të bashkoheshin, me një Program, me një Statut dhe Organ të vetëm. Dy organizatat tjera, OMLK dhe PKMLSHJ, mbronin qëndrimin se të gjitha organizatat dhe grupet ekzistuese duhet të shkriheshin në një ” Front për Republikën e Kosovës”, përpos organizatave të tyre, të cilat do të mbesin organizata pararojë (për të udhëhequr dhe për të sunduar) me program, statut dhe organ të vetin, që kanë për detyrë për ta udhëhequr « Frontin…”.
Edhepse Jusuf Gërvalla bëri çmos për të ardhur deri te bashkimi i organizatave, duke e ndërprerë edhe botimin e organit të Organizatës së tij “Lajmëtari i Lirisë”, për të treguar me fakte se duhet ndërtuar diçka më të madhe dhe më të fortë bashkarisht, përkundrazi, prijësit e OLMK-së donin t`i forconin radhët e organizatës së tyre, pasi që filluan përgatitjet për botimin e organit të tyre “Liria “. Jusuf Gërvalla nuk u kursye dhe punoi me përkushtim për ta përgatitur për shtyp organin e tyre “Liria”, duke shpresuar se, me të mirë, do t’ua ndërronte mendjen. Po ashtu Jusuf Gërvalla e pat ndihmuar edhe Ibrahim Kelmendin për ta nxjerrë fletushkën “Bashkimi”- organin e “Frontit të Kuq Popullor”-, që ai e kishte formuar, i ndikuar nga e njëjta qendër që i pat krijuar “Brigadat e Kuqe” në Gjermani dhe Itali. Por, kur Jusuf Gërvalla u muar me botimin e Zërit të Kosovës, dhe nuk kishte kohë e as që donte të merrej me “Frontin e Kuq” e as me “brigada të kuqe” që i kishte formuar shërbimi i fshehtë i BRSS. Ibrahim Kelmendi filloi të bënte shpifje kundër tij, duke e shpallur “spiun të Beogradit” dhe “tradhtar”, siç e kanë zakon t`i shpallin komunistët kundërshtarët e tyre politikë, por edhe shokët më të ngushtë, për t`i likuiduar pastaj, siç qe rasti me Mehmet Shehun e raste të shumta në praktikën komunisto-staliniste.
Vazhdon