Juve fillon vitin me rekord në Seria A, kalon me lehtësi Bologna-n

08.01.2017 23:36:15

Juventus ka vendosur një rekord të ri në Seria A, duke fituar 26 ndeshje radhazi brenda në shtëpi. Ky është një rekord absolut që vetëm Zonja e Vjetër mund ta vendosë në kampionatin italian. Juve vazhdon ecurinë pozitive në Seria A duke mundur me lehtësi Bologna-n me rezultatin e pastër 3:0. Rivalët e Zonjës me siguri që kanë shpresuar që ekipi i Alegri-t të linte disa pikë rrugës teksa pas humbjes së papritur me Genoan kishin disa ndeshje të vështira radhazi me Atalanta, Torino dhe Roma por Bardhezinjtë i kanë fituar të tria dhe tani vjen fitorja e katërt radhazi në kampionat.

Megjithëse nga jashtë duket sikur ekipi ka probleme të brendshme, që lindën pas humbjes kundër AC Milan në Superkupën Italiane, ekipi dukej harmonik në fushën e lojës dhe mungesa e Evra, i cili pritet të largohet nga Juve, nuk ra në sy teksa torinezët vazhduan marshimin e tyre drejt titullit kampion.