Juventus fiton paster ndaj Lazios

22.01.2017 16:01:20

Juventus i ka mbyllur llogaritë shpejt me Lazio-n në ndeshjen e sotme në shtëpi, duke fituar lehtësisht me rezultatin 2-0. Bardhezinjtë shënjestruan rrjetat shumë shpejt, duke rikonfirmuar se në Serie A nuk ndiejnë frikë nga askush dhe se rivaliteti është veçse në letër. Dy sulmuesit e kampionëve, Paulo Dybala dhe Gonzalo Higuain, kryen detyrën duke shënuar nga një gol, teksa e gjithë ofensiva e “Zonjës së vjetër” tregoi më të mirën në “Juventus Stadium”. Lazio, nga ana tjetër, u shfaq shumë e vogël përballë një skuadre e cila ka rigjetur veten në kampionat dhe vështirë se do të gabojë më.

Me pak tifozë të cilët mbështesnin klubin me pankarta të logos së re, Juventus nisi lojën menjëherë me vertikalizime vrastare. Goli i parë erdhi për pesë minuta lojë. Një kros nga e majta gjeti kroatin Mario Mandzukic në hyrje të zonës së miqve, sulmuesi uli topin në tokë për magjistarin Dybala dhe ky i fundit shënoi një gol spektakolar me të majtën duke dërguar topin në cepin e shtyllës së dytë. 1-0! Në të 17′ vendësit e kthyen lojën në “tango” me një tjetër golashënues nga Argjentina. Juan Cuadrado gjeti Higuain-in me kros pranë zonës dhe ky i fundit shënoi me lehtësi për të dyfishuar rezultatin.