Juventus ofron 80 mln euro për mesfushorin Marco Verrati

05.01.2017 11:50:45

Çmenduria e Juventusit quhet Marco Verratti. Drejtuesit torinez kanë shigjetuar regjisorin e kombëtares italiane për mesfushën bardhezi. Transferimi i francezit Paul Pogba drejt Manchester United ka lënë një boshllëk të madh te Juve, Miralem Pjanic i afruar në merkaton e verës nuk ka bindur trajnerin Allegri, dhe sipas medieve britanike aventura e tij mund të vazhdoj në Londër te Arsenal-i. Sipas të përditshmes “Corriere dello Sport” drejtuesit e bardhezinjve kanë piketuar Verratin për merkaton e verës. Problemi i vetëm qëndron te fakti se Paris SG nuk dëshiron të largoj nga skuadra një ndër mesfushort më të mirë në qarkullim.

Gjithsesi hierarkia e Juventusit ka vendosur të shpenzoj 80 milionë euro për t’i mbushur mendjen parizienve të lënë të lirë mesfushorin. Drejtori sportiv i Juves, Giuseppe Marotta deklaroi se presidenca është gati të bëjë një tjetër goditje të madhe si ajo e Higuain për të ndërtuar një skuadër konkurruese edhe në Champions League. Përveç Juventusit, edhe Chelsea me Inter-in kanë shprehur interes për 24-vjeçarin, që është lidhur edhe më herët për një kalim te bardhezinjtë.