Kupa e Italisë, Roma në gjysmëfinale, sfidon Lazion

02.02.2017 00:03:57

Një penallti e Totit në minutën e 97-të nga pika e bardhë i dha Romës derbin e kryeqytetit në gjysëmfinalet e Kupës. Verdhekuqtë dhe pse nuk luajtën mirë arritën të eliminojnë pas një fitore të vuajtur 2-1 Cesenën, që u dorëzua vetëm përballë fatit. Skuadra e Spallettit ndryshe nga zakonisht zhvilloi një lojë jo të mirë përballë një Cesene që sidomos në pjesën e parë dominoi vendasit, por i mungoi vetëm goli. Golin e parë megjithatë e gjeti Roma me Dzekon në të 67-tën.

Gëzimi i vendasve megjithatë nuk zgjati shumë sepse Cesena mundi të barazonte rezultatin me Garritanon. Skuadra nga Serie B provoi ta conte ndeshjen në shtesë dhe për pak ja arriti qëllimit por penalltia e akorduar nga gjyqtari që u kthye në gol nga Toti prishi planet e miqve, me Romën që në gjysmëfinale të Kupës do të ketë tashmë një derbi me Lazion.