Ka filluar vendosja e kamerave të sigurisë në Podujevë

30.04.2019 16:11:41

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi i Komunës së Podujevës, në mbledhjen e sotme është informuar për gjendjen e sigurisë në komunë, sigurinë në shkolla dhe dinamikën e realizimit të projektit për vendosjen e kamerave të sigurisë në qytet.

Sipas një njoftimi, Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) i Komunës së Podujevës, në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari, ka shqyrtuar raportin e Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe FSK-së për gjendjen e sigurisë në Komunë; është informuar për sigurinë në shkolla dhe masat për ngritjen e sigurisë si dhe është informuar për realizimin e projektit për vendosjen e kamerave të sigurisë në qytet

Po sipas njoftimit, komandanti i Stacionit Policor në Podujevë, kapiteni Bekim Zogiani, tha se gjendja e sigurisë në komunë është e qetë dhe stabile.

Komandanti Bislimi tha se Policia është fokusuar në shtimin e aktiviteteve në parandalimin e aksidenteve dhe krijimin e sigurisë në komunikacion.

Gjendjen e sigurisë në Komunën e Podujevës e kanë vlerësuar të qetë dhe stabile edhe përfaqësuesit e KFOR-it dhe FSK-së.

Drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Agim Blakçori, duke raportuar për gjendjen e sigurisë në shkolla tha se ajo është e mirë dhe se ka mbarëvajtje të rregullt të procesit mësimor në të gjitha shkollat.

Në funksion të një mjedisi të qetë dhe të sigurt në institucionet shkollore, drejtori Blakçori tha se janë mbajtur mbledhje me drejtorët e shkollave. Më tej, drejtori Blakçori tha se në bashkëpunim edhe me mekanizma të tjerë nëpër shkolla po organizohen ligjërata tematike për vetëdijësimin e nxënësve kundër dukurive negative.

Në takim u tha se me qëllim të sigurisë së nxënësve, në shkollat që janë larg vendbanimeve, po vazhdon të sigurohet transporti i nxënësve e gjithashtu po investohet në ndërtimin e trotuareve dhe ndriçimit publik në rrugët që shpiejnë te shkollat. Shqetësim dhe kërcënim serioz për sigurinë fizike të nxënësve vazhdojnë të paraqesin qentë endacakë. Andaj u kërkua nga Qeveria e Kosovës që sa më parë të ndërmarr masa në eliminimin e këtij rreziku.

Lidhur me projektin e vendosjes së kamerave të sigurisë që realizohet në bashkëpunim edhe me Stacionin Policor të Kosovës, drejtori i Drejtorisë së Administratës, Gëzim Namani, tha se tashmë kanë përfunduar të gjitha procedurat e tenderimit dhe operatori i përzgjedhur ka filluar me vendosjen e kamerave të sigurisë në qytet.