Kacafytje në ajër: shqiptari shmang një sulm të mundshëm terrorist në aeroplan

13.10.2016 10:31:48

FBI është duke hetuar një rast të mundshëm terrorizmi në East Hartford, Connecticut, ku një avion i vogël u rrëzua të martën pasdite afër një uzine me rëndësi të madhe ushtarake.

Në pamje të parë dukej si një aksident, por një nga dy drejtuesit e avionit të rrëzuar, që arriti të mbijetojë ka thënë se rrëzimi kishte qenë i qëllimshëm.

Arian Prevalla, shqiptaro-amerikani, që drejton një shkollë të pilotimit, në SHBA, luftoi për të marrë në dorë kontrollin e avionit, kur student i tij me origjinë nga Jordania, refuzoi në mes të fluturimit që të ndiqte itenerarin e planifikuar.

Avioni u rrëzua pranë Uzinës “Pratt & whitney” që prodhon motorë avionësh, disa prej të cilëve për ushtrinë amerikane. Siç bën të ditur gazeta shqiptaro-amerikane, “Illyria”, në New York, Uzina numërohet si një pikë me rëndësi strategjike për sigurinë kombëtare amerikane.

Afërsia me uzinën nxiti menjëherë interesin e FBI-së, ndërsa tregimi i instruktorit shqiptar ka sjellë fillimin e një hetimi urgjent. Agjentët federal kanë kontrolluar apartamentin në Illinois, të studentit jordanez, po nuk kanë bërë ndonjë njoftim deri tani.

Avioni goditi një nga shtyllat dhe telat e elektrikut duke marrë flakë. Nga rrëzimi mbeti i vdekur student 28-vjeçar. Për shkak të përplasjes, një pjesë e zonës përreth humbi furnizimin me rrymë.

Guvernatori Dannel P. Malloy ka paralajmëruar që publiku të mos hidhet në përfundime pa mbaruar hetimi për incidentin.

Prevalla, i cili e ka hapur shkollën e pilotimit, në 2006, në Hartford, Connecticut, është edhe President i Akademisë Amerikane të Fluturimit.

Ai ka marrë plagë të mëdha djegieje por besohet se është jashtë rrezikut për jetën.