Donika Kadaj-Bujupi: Nëse Kurti dështon, jemi të gatshëm të ofrojmë zgjidhje për vendin

31.01.2020 12:41:10

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, është e gatshme që nëse dështon koalicioni VV-LDK, të bisedojë për ndonjë mundësi tjetër për ta nxjerr vendin nga bllokada.

Nënkryetarja dhe njëherësh deputete e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi në një intervistë për Ekonomia Online, thotë se do të presin afatet Kushtetuese dhe në rast të dështimit të Vetëvendosjes për ta bërë qeverinë do të diskutojnë në organet e partisë për hapat që duhen ndërmarr.

‘’Ne po presim afatet prej 15 ditësh sipas afateve Kushtetuese dhe pastaj në rast të dështimit, sigurisht që si Aleancë asnjëherë nuk kemi pasur mungesë të vullnetit të kontribuojmë për interes të vendit kemi marrë përgjegjësi për tema të mëdha jashtëzakonisht të rëndësishme dhe do të ulemi e të diskutojmë dhe do të marrim vendimet e duhura’’, tha ajo.

Kadaj-Bujupi që për një kohë kishte kaluar në Vetëvendosje thotë se mandatari nuk po e ka guximin të marrë përgjegjësi për të udhëhequr me vendin. Andaj kërkon që e njëjta të këshojë rrugë për marrëveshje të reja, pasi që sipas saj vendi rrezikon të bllokohet.

“Siç po shihet mandatari nuk po e ka guximin që të marrë përgjegjësi për të udhëhequr me vendin në këtë kohë kur na presin procese të vështira dhe sidomos çështja e dialogut me Serbinë. Të gjitha këtij na sjellin para një situate kur besoj që deri në konsumimin e afateve Kushtetuese do të duhet të merrnim një përgjigje të qartë. Nëse nuk ka vullnet, guxim dhe ka frikë për të marrë përgjegjësi përkundër numrit të madh të votave të cilat i kanë marrë nga votuesit për ndryshim, atëherë duhet të lëshojnë rrugë dhe të japin mundësi që të kemi edhe marrëveshje të reja përmes së cilave do ta nxjerrim vendin nga kriza, pra themelimi i krizës është i papranueshëm’’, tha ajo.

“Po presim që dy partitë të dalin më rezultate përfundimtare dhe do shohim se cilat do të jenë ato, varësisht prej situatave aleanca do të jetë në rolin e saj, pra për të përkrahur themelimin e institucioneve të vendit dhe për të ecur tutje në proceset që na presin’’, tha ajo.

Deputetja e AAK-së thotë se pavarësisht që janë të gatshëm për zgjedhje të reja, nuk preferon një gjë të tillë, pasi që do të shpenzoheshin miliona euro dhe do të përmbysej vullneti qytetar.

Për dallim prej subjekteve të tjera ne vazhdojmë të udhëheqim me 7 komuna në Republikën e Kosovës dhe besojmë se do të jemi në procesin e rregullt dhe konsiderojmë që qytetarët kanë folur më 6 tetor dhe është e padrejtë dhe e pandershme që të shpenzojmë para shtesë miliona euro për të shkuar në zgjedhje të reja dhe të kërkojmë nga qytetarët që përsëri të japin qëndrime të tyre. Pra si Aleancë konsiderojmë që prioritet është implementimi i rezultatit të 6 tetorit’’, tha ajo.