Kadaj: Ky nuk është gjyq, është sulm i pastër mbi luftën e UÇK-së

19.07.2019 22:14:45

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, ka reaguar pas ftesës së Gjykatës Speciale për intervistimin e Ramush Haradinajt.

Në një shkrim të bërë në Facebook, ajo ka thënë se nuk ka gjyq, drejtësi e asnjë institucion që i jep emër thirrjes së kryeministrit të dorëhequr Ramush Haradinaj nga Dhomat Speciale.

“Ky nuk është gjyq, por është sulm i pastër mbi luftën e UÇK-së, sakrificën e dëshmorëve dhe mbi 8 milionë shqiptarë anembanë”, ka shkruar ajo.

Haradinaj gjatë ditës ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga posti i kryeministrit të Kosovës.

Ai ka thënë se shkak i dorëheqjes është thirrja nga Gjykata Speciale.

“Nderi i Kryeministrit dhe Shtetit duhet të ruhet dhe unë nuk e poshtëroj asnjëherë. Në Hagë si Ramush Haradinaj do t’i dal përball shpifësve, ashtu si e kërkon nderi i luftëtarit shqiptar. Pastërtia ime dhe e luftës së UÇK-së, e konfirmuar nga dy aktgjykime nuk mund të njolloset nga askush dhe asnjëherë”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj pritet të udhëtojë gjatë javës së ardhshme për në Hagë.