Kadare flet hapur: Letra e vetme që i shkrova Enver Hoxhës

15.09.2017 21:53:45

Shkrimtari Ismail Kadare ka folur me zë dhe figurë në lidhje me polemikat e shumta që shkaktoi publikimi i një letre të tij, dërguar diktatorit Enver Hoxha për të motrën e njeriut të letrave shqipe.

Në një intervistë për emisionin Studio e Hapur të gazetares Eni Vasili, Kadare tha se ajo letër, është e vetmja që ai ka shkruar në adresë të diktatorit absolut, siç e ka cilësuar ai Enver Hoxhën. Vetë Kadare shprehet se letra është shkruar nga dora e tij, por për t’i shpëtuar jetën të motrës, ndërsa botimi i kësaj letre pas shumë dekagash, është një turp i vërtetë. Kadare shprehet se ai personalisht nuk e njeh personin që e ka publikuar këtë letër (Ilir Demaliaj, i njohur për ngjarjet në vitet 90’ në ambasadat në Tiranë).

INTERVISTA:

Le ta fillojmë me një letër që është botuar së fundmi në shtyp dhe që ka të bëjë me motrën tuaj, një letër që i drejtohej udhëheqësit. A mund të na thoni diçka më shumë rreth kësaj?

Po unë kam kërkuar vite më parë që të hapen arkivat e fshehta dhe më kujtohet një kritik, studiues i njohur francez, i cili njihet si eksperti numër një i komunizmit në botë, autori i librit që mund të gjendet edhe në shqip “Libri i zi i komunizmit”, ka një enciklopedi të diktaturave komuniste; më intervistoi dhe më pyeti: Z.Kadare a e keni menduar mirë që kërkoni këtë hapjen e arkivave, se ndodh që njeriu lë kudo ndonjë gjurmë, dhe mbase edhe ju keni lënë ndonjë dokument që s’do donit të hapej. Ndërsa unë në përgjigje i thashë se këtë gjë e kam menduar shumë mirë, dhe nuk jam aq thjesht nga mendja sa të harroj gjëra të tilla të mëdha. Ai më tha është qëndrim i adhurueshëm për mua, dhe e botoi këtë.

Kur e botova këtu në Shqipëri 5-6 vite përpara shumë njerëz kanë rendur nëpër arkiva se kanë menduar të shikojë ky se ç’kemi për t’i nxjerrë ne. Dhe kjo është e vetmja letër që gjatë 40 viteve unë i kam bërë Enver Hoxhës. S’ka tjetër, dhe po e përsëris sot te juve këtë: Nuk ka letër tjetër që unë t’i jem drejtuar liderit absolut, tiranit absolut shqiptar gjatë 40 viteve, është vetëm kjo. Kjo letër është shkruar me dorën time, sepse kur kërkova t’i bëj një letër Enver Hoxhës, sekretari i tij më tha: Shoku Kadare ka disa kushte që ai ka dhe juve duhet t’i pranoni. Letrën duhet ta shkruani me dorën tuaj, të mos mbani kopje, të mos lini kopje askund, dhe të mos lini gjurmë askund të kësaj letre. Dhe unë e shkrova letrën me dorën time, e besova këtë, se kujtova se diktaturat nuk kanë ndonjë forcë mbinjerëzore për të verifikuar gjërat, por kujtoja se verifikonin ndoshta çdo gjë. Dhe letrën e pashë tani kur u botua në shtypin shqiptar.

Ju e mbanit mend sëpari?

E mbaja mend si letër. Diku edhe Elena, ime shoqe, në kujtimet e saj e ka thënë që unë i kam bërë një letër për shkak të motrës sime, sepse jam thirrur zyrtarisht në Komitetin Qendror, për të më njoftuar se motra ime ka vite që hetohet nga sigurimi i shtetit. Dhe unë si shkrimtar i njohur, i “privilegjuar” sipas disave, duhet ta dija këtë gjë, dhe mundësisht të isha i ndërgjegjshëm për këtë gjë.

Përpara se të flasim për detajet e letrës, si mendoni se ka dalë në shtyp? Kush e ka zotëruar këtë letrën?

Ky është turpi i vendit tonë sot, që kjo gjë vazhdon akoma. Kanë kaluar javë të tëra, njeriu që e ka nxjerrë nuk e di çfarë është, njëri thotë ish-agjent i sigurimit, tjetri thotë është rrugaç, tjetri aventurier, të tjerë s’e njohim. Por nga ka dalë ky njeri, dhe si e ka nxjerrë.

Ju keni krijuar një ide tuajën për këtë?

Jo nuk kam. Ky njeri e ka nxjerrë këtë letër me mënyra të dënueshme, nga njerëz që kanë shkelur ligjet e shtetit njëherë. Shërbimi i fshehtë i një vendi diktatorial të përsosur në kuptimin më të keq të fjalës. Siç ua thashë në fillim unë nuk kisha të drejtë të mbaja kopje për veten time. Kjo ka dalë nga thelbi i sekreteve të diktaturës dhe unë nuk e di se ç’bën ky shtet që nuk e sqaron këtë. S’është në gjendje ta sqarojë ndoshta.

Si mendoni cili është qëllimi i këtij botimi, i kësaj letre? Pse në këtë moment?

Kjo letër nga një pikëpamje është pa ndonjë kuptim të madh, se nuk tregon asgjë për mua. Përkundrazi, do të thosha, ndoshta nuk po e teproj, më bën nder. Kjo letër tregon se njëri nga familja ime hetohej ditë e natë nga sigurimi i shtetit. Unë e shkruaj atje që është një gjë që ma tha shteti, që motra jote është në vëzhgim të vazhdueshëm. Mos ma merrni për mburrje, por në atë kohë unë isha shkrimtari më i njohur shqiptar brenda dhe jashtë vendit, dhe një familjar i imi përgjohej ditë e natë. Dhe i kam thënë se kjo ndikon në gjithë jetën time, në kontrollet time, në punën time të përditshme. Dhe duke kërkuar, nuk ngre ndonjë britmë në qiell që pse më bëhet kjo poshtërsi apo jo, por doja t’i thoja se ju duhet ta dini që me mua po ndodh ky hetim. Edhe unë vetë duhet ta di pse bëhet kjo gjë. A më pengon kjo mua në jetën time apo jo.

A u ndjetë i rrezikuar nga ky hetim për jetën tuaj, për veprën tuaj?

Nuk di ç’të them, se në atë kohë ishin rreziqet kaq të mëdha dhe njeriu nuk duhet të abuzojë me këtë gjë. Gjithë njerëzit kanë qenë të rrezikuar. Nuk është ndonjë zbulim i madh që bëra unë, se përse ma thanë mua. Ishte një paralajmërim që më bënë. Ndoshta vetë ata tani s’e mbajnë mënd, a janë në këtë botë a s’janë. Unë nuk e di, s’e kam të qartë. Është një mister që e mbulon punën e kësaj letre. Po mua ajo s’më prek fare në biografinë time, s’më bën asgjë. Çfarë kam unë në përgjegjësi që motra ime u përgjoka nga sigurimi i shtetit. Mua edhe motra me përgjohej, dhe imagjino edhe vetë sa shumë përgjohesha. Nga ky hetim, ai grup ku bënte pjesë motra ime, dhe që u arrestua pothuajse i gjithi, njëra nga gratë vdiq në burg, dhe asnjë s’po bën sot hetim, edhe pse duhet të ishte bërë. Kanë qenë 4 a 5 gra, njëra ka vdekur në burg, të tjerat janë liruar Zoti e di kur, s’di se çfarë ka ndodhur me to, a janë torturuar. Motra ime është ajo që është kursyer, për shkak se është motra ime. Ka qenë një gjë shumë e hidhur, shumë e trishtuar, por që nuk është marrë njeri seriozisht me të.

E mban peng e shkuara të ardhmen e Shqipërisë? Kjo lloj e shkuare, e pazbardhur, e patreguar mirë, e manipuluar.

Sigurisht e mban peng. Çdo gjë e fshehtë që ka lidhje me krimet e një tiranie, mban një seri pengjesh, dhe në Shqipëri ka shumë pengje që ne s’na shkon mendja, që mbahen nga kjo gjë. Ka veprimtari, njerëz, rryma të fshehta që gëlojnë akoma, që ne nuk e dimë nga e kanë burimin, sigurisht që mbahen të fshehta.