Kadare: Libri i Artë i Albanologjisë do të jetë amza e më të shquarve në studimet shqiptare

23.09.2018 10:25:17

Albanologjia shqiptare ka tashmë Librin e Artë të Meritës. Figura të njohura që kanë kontribuar në këtë fushë janë përjetësuar në librin që është përshëndetur dhe nga shkrimtari i madh Ismail Kadare. “Libri i Artë i Albanologjisë do të jetë amza e më të shquarve në studimet shqiptare që prej themelimit të saj deri më sot.

Libri i Artë i Albanologjisë do të jetë kodiku i nderit i studiuesve albanologë, i atyre që e kthyen shkencën për shqiptarët nga ekzotikë në dije paradigmatike, pa të cilën nuk bëjnë dot studimet ballkanistike, europiane e indoeuropiane. Ky libër do të rendisë përkrah njëri-tjetrit shkencëtarë austro-gjermanë, francezë e italianë, britanikë e amerikanë, kroatë e rusë; nga vendet fqinje e vende të largëta. Vit pas viti ky kodik do të shndërrohet në një enciklopedi të pazvendësueshme”, është shprehur Kadare. Vasil S. Tole, sekretar shkencor i Akademisë së Shkencave tha se paraqitja e Librit të Artë të Meritës në Albanologji, themelimi i të cilit u bë jo rastësisht në Vitin Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut është një ngjarje e rëndësishme.

“Ishte propozimi i jurisë së ҫmimit shkencor për botimin më të suksesshëm kushtuar Skënderbeut dhe epokës së tij ai që vuri në lëvizje institucionin tonë për të marrë vendimet e duhura e për të ardhur në këtë ditë të gëzueshme të paraqitjes së tij si një regjistër që do të shënjojë sot e për shumë dekada, ndoshta dhe më shumë, në mënyrë retrospektive e perspektive, kujtesën tonë shkencore për arritjet në albanologji dhe për protagonistët e saj, që nga koha kur lindi, disa shekuj më parë, deri në kohën e sotme.

Kemi ardhur deri tek themelimi i Librit të Artë të Meritës në Albanologji në shenjë përgjegjësie institucionale ndaj të gjitha qendrave, shkollave dhe individëve, sot, në të shkuarën e në të ardhmen, që e kanë lidhur e do ta lidhin emrin dhe jetën e tyre me botën shqiptare, me gjuhën shqipe dhe letërsinë e saj, me historinë, kulturën dhe identitetin kombëtar shqiptar. Personaliteti i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut është figura që bashkoi për herë të parë shqiptarët dhe krijoi bazat e identifikimit dhe të etnodallimit të tyre. Me qëndresën shqiptare që ai udhëhoqi u arrit konvergjenca e parë dhe më e rëndësishme arbërore. Me të nisi historia moderne e shqiptarëve, epoka e ndërkombëtarizimit të identitetit të tyre”, tha Tole.

Tituj nderi, vlerësimi dhe mirënjohjeje për albanologët e huaj dhe vendës ka jo vetëm në Shqipërinë shtetërore, por dhe në Kosovë e gjetkë. Por Libri i Artë i Meritës do të jetë mirënjohja më e lartë, banka e të dhënave me të përzgjedhura të albanologjisë. Të gjithë ata që kanë merita të papërsëritshme për kontribute origjinale në albanologji do të hapin portën e meritës me autoritetin e tyre dhe do të bashkohen aty.

“Në ditën e sotme Libri është hapur për studiuesit më të shquar të Mesjetës shqiptare, të shekujve të humanizmit, që i ndërlidh figura e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, epoka e tij dhe përmasat ballkanike e europiane që e cilësojnë. Kjo është arsyeja pse, siç mund të vërehet edhe nga programi, kodi i nderit i Albanologjisë kësaj here do të fillojë me historianët shqiptarë Aleks Buda e Kristo Frashëri, me Alen Dyselienë (Francë), me Peter Bartl-in dhe Franz Babinger-in (Gjermani), me Kostas Sathas-in (Greqi), me Francisc Pal-in (Rumani) dhe Halil Inalҫik-un (Turqi). Profilet e tyre intelektuale do të paraqiten nga akademikë e profesorë të fuar, si: Franҫesko Altimari, Floresha Dado, Pëllumb Xhufi, Aurel Plasari, Luan Malltezi, Kosta Giakumis e Ferit Duka, të cilët njëherësh do të jenë nënshkruesit e parë të zërave të përgatitur prej tyre në Librin e Artë të Albanologjisë.

Sikurse mund ta shihni, ky libër nuk është thjesht një bllok i bardhë, një libër i bardhë, por një artefakt i vërtetë. Ai me të drejtë mund të quhet kodiku i fundmë i Shqipërisë, i kësaj hapësire historike ku historia e dorëshkrimeve nis që nga shekulli VI. Eshtë përgatitur me të gjitha kërkesat dhe me të gjitha teknologjitë manifakturale të një kodiku, një mjeshtëri e rrallë sot, që i përgjigjet edhe nga kjo anë nivelit të lartë të dinjitetit dhe nderimit që duam të ofrojmë përmes tij”, tha Tole. Sipas tij, ky kodik është një kryevepër në llojin e vet, i cili na erdhi nga hapësirat arbëreshe në Itali, si një kod modern vlerash e ribashkimi mes nesh.

Dikur për të mbrojtur vendin dërgimi i armëve ishte gjëja e duhur. Sot, dhurimi i një libri është arma e duhur për ruajtjen e gjërave më të shenjta që kemi si popull, ndër to edhe albanologjinë. Një armë në dorë të bën luftëtar kurse një libër të bën popull të kulturuar. Prandaj ardhja e këtij libri simbol nga hapësirat arbëreshe na kujton përsëri Skënderbeun, heroin tonë, i cili me armë në dorë luftoi edhe për ruajtjen e kulturës dhe identitetit tonë si popull, që ne të kishim mundësi që të zhvillojmë vendin, kulturën tonë dhe shkencat posaçërisht shkencat albanologjike.

Për këtë kodik punoi në rrugë artizanale një nga tre mjeshtrat më të njohur që vazhdojnë të mbajnë gjallë këtë mjeshtëri luksi aristokratik në Itali, mjeshtri Matteo Cuttita, specialist në laboratorin e restaurimit në manastirin e Munxifsit, një manastir me tradita ekumenike, që ka bashkuar kishat dhe liturgjitë, me një rol historik-kulturor mbiadriatik. Mjeshtri Matteo Cuttitta meriton mirënjohjen tonë për cilësinë dhe për fanatizmin e admirueshëm në realizimin e kësaj vepre të madhe. “Ishte akademiku Matteo Mandala, ai që u përkujdes me gjithë dashurinë dhe kujdesin e tij sakral në gjithë fazat e përgatitjes së tij, deri tek paketimi specifik për ta sjellë me mbrojtje të sigurt kodikun, deri në momentin e dorëzimit në Akademi.

Nuk mund të lë pa përmendur gjithashtu kujdesin e përhershëm profesional të akademikes Floresha Dado dhe të akademikut të asociuar Shaban Sinani. Kam kënaqësinë t’ju bëj të ditur se ky kodik është bekuar me një shenjim prambul të shkrimtarit dhe kryeakademikut tonë të dashur Ismail Kadare. Kam lejen e tij për ta lexuar këtë shenjim në këtë moment solemn dhe e konsideroj si privilegj këtë çast. Po citoj: “Libri i Artë i Albanologjisë do të jetë amza e më të shquarve në studimet shqiptare që prej themelimit të saj deri më sot. Libri i Artë i Albanologjisë do të jetë kodiku i nderit i studiuesve albanologë, i atyre që e kthyen shkencën për shqiptarët nga ekzotikë në dije paradigmatike, pa të cilën nuk bëjnë dot studimet ballkanistike, europiane e indoeuropiane. Ky libër do të rendisë përkrah njëri-tjetrit shkencëtarë austro-gjermanë, francezë e italianë, britanikë e amerikanë, kroatë e rusë; nga vendet fqinje e vende të largëta. Vit pas viti ky kodik do të shndërrohet në një enciklopedi të pazëvendësueshme”.

Një shkrues i specializuar, një skrib i kohëve moderne, do të kopjojë si në regjistrat e lashtë, me kaligrafi, me ars scribensi, shkrimet që janë përgatitur për personalitetet që janë ftuar të zënë në mënyrë sovrane vendin e tyre në Librin e Artë të Meritës”, tha Tole.