Kadri, a je mirë? A u lodhe?

08.10.2016 17:06:31

Nga Rexhep Kastrati

Miratimi i ligjit për Trepçën gjatë orëve të para të ditës së sotme është një ngjarje e veçantë, për rëndësinë e të cilit është e tepër të flitet. Prandaj, edhe ka ngjallur euforinë e shqiptarëve, por edhe zemërimin e Beogradit. Mirëpo, ndërmjet euforisë së shqiptarëve dhe zemërimit të Beogradit po vihet re një qasje triumfaliste e PDK-së që nga kryetari i saj, Kadri Veseli e deri te minstri Blerand Stavileci, që mëton ta paraqesë këtë ligj dhe miratimin e tij si meritë ekskluzive të kësaj partie dhe të eksponentëve të saj. Shkuarja e paradotishme e Kadri Veselit në Trepçë, e që u bë në prag të procesimit të projektligjit për Trepçën në Kuvend, por edhe qëndrimi i Blerand Stavilecit po në Trepçë pas miratimit të ligjit në Kuvend, janë dëshmi e anagzhimeve të tyre për ta paraqitur këtë projektligj si meritë të PDK-së. Këtë e bën të qartë edhe mesazhi që ka përcjell Blerand Stavileci, që është një mesazh plotësisht triumfalist dhe përvetësues. Dhe këto mesazhe të tilla që nga kreu i PDK-së e më poshtë, janë në kundërshtim me mesazhet që ka përcjellë kryemnstri i vendit, Isa Mustafa, i cili jo që nuk ka shfaqur annjë mesazh triumfalist, por meritën për këtë ligj ia ka dedikuar unitetit politik. Kryeministri Mustafa ka bërë të qartë se është Trepça që na bashkoi, duke përcjellë mesazhin se meritat u takojnë të gjithëve që kanë kontribuar për të këtë ligj. Edhe mesazhet e kryetarit të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, prof. dr. Muhamet Mustafa gjatë procedimit në Kuvend, por edhe gjatë miratimit të amandamenteve një nga një, dhe të ligjit në tërësi, kanë qenë mesazhe uniteti dhe përbashkësie. Por jo vetëm këta: edhe shefi Grupit kuvendor të LDK-së, Ismet Beqiri ka qenë në të njëjtën linjë: të mos ndahmemi në etni e në parti! Pra, përballë mesazheve konstruktive dhe unifikuese të kryeminstrit Mustafa, kryetarit të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, prof. dr. Muhamet Mustafa, shefit të Grupit kuvendor të LDK-së, Ismet Beqiri, minsitrave dhe eksponentëve të tjerë nga radhët e LDK-së, janë mesazhet triumfaliste të PDK-së, duke filluar nga kryetari i saj, Kadri Veseli. Kadri Veseli dhe gjithë eksponentët tjerë të PDK-së duhet të kenë kujdes jo se bëhet nami pse bëjnë deklarata adoleshentësh politikë, por për shkak se nuk është koha për të marrë apo dhënë merita, sepse miratimi i ligjit për Trepçën është vetëm hapi i parë i rëndësishëm, kurse hapat tjerë janë ata që kanë të bëjnë me implementimin e këtij ligji, përballimi i fushatave diplmatike të Serbisë, obstruksionet që pritet t’i bëjë dhe që i kam trajtuar në shkrimin e sotëm ” Kërcënimet e Gjuriqit ndërmjet asgjësë legale dhe përpjekjeve për destabilizim të Kosovës”, e që janë punë që duhet t’i bëjë Qeveria. Prandaj, duhet lënë anash euforinë, por edhe keqpërdorimin e aktit kuvendor të miratimit të këtij ligji të rëndësishëm, por të tregohet përgjegjshmëri dhe liderizëm shtetëror për të mirën e vendit. Këtë duhet ta kuptojë në radhë të parë Kadri Veseli, i cili duhet ta dijë se ka përgjegjësi edhe partiake, edhe institucionale që të kontribuojë për ruatjen e unitetit politik të krijuar me rastin e miratimit të ligjit për Trepçën, dhe të njëjtin ta modelojë edhe për çështje të tjera të rëndësishme. Përndryshe, meritorë për këtë ligj janë si kuvendarët shqiptarë, ashtu edhe ata të pakicave joserbe, të cilët në mënyrë unanime dhe me përgjegjshmëri e anë mbështetur dhe ekanë votuar atë, por edhe ekspertë të ndryshëm vendorë e ndërkombëtarë, përfaqëseues të gjigandit Trepça dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët janë anagzhuar fort në fazat e mëhershme të diskutimit dhe të formulimit të zgjedhjeve më të mira për këtë gjigand. Dhe në këtë drejtim, duhet vlerësuar edhe prof. dr. Muhamer Mustafa që diti të udhëheqë gjithë këtë proces të gjatë dhe jo të lehtë, duke bërë bashkë gjithë ata njerëz politikë, ekonomikë, ligjorë etj. Sigurisht edhe vendosmëria e kryeministrit Mustafa ka pasur ndikimin e saj dhe ka bërë që sot ta gdhijmë ditën me këtë ligj të rëndëishëm për Kosovën. Megjithatë, nuk është koha për eufori, nuk është koha për triumfalizëm, nuk është koha për përvetësim meritash dhe lavdatash, por është kohë e përgjegjshmërisë së lartë shtetërore. Kadriu, Blerandi dhe gjithë të tjerët duhet të vazhdojnë të kontribuojnë për Kosovën, për unitetin e saj politiko-institucional dhe për miratimin e ligjeve dhe strategjive të tjera për Kosovën. Kam frikë se duke vrapuar për selfie dhe për të përhapur triumfalizëm dhe eufori, Kadriu me të tijët nuk do të kenë energji për të kryer punë të rëndësishme për vendin, nuk mund të kenë energji për t’u përballur me obstruksionet dhe angazhimet e Serbisë për të penguar implementimin e ligjit për Trepçën, por edhe për ta destabilizuar vendin.