Kadri Veseli, është munduar të nxjerrë me faqe të bardhë veglat kondomë brenda LDK-së

04.09.2018 22:47:44

Nga Rexhep Kastrati

Kadri Veseli nuk thirri seancën e kërkuar nga opozita, dhe është e vërtetë që ka bërë shkelje të Rregullores së Kuvendit, por edhe të Kushtetutës, por po ashtu, ka bërë përpjekje për të nxjerrë me faqe të bardhë veglat kondomë brenda LDK-së, që u komprmetuan dhe u demaskuan keqas gjatë ditës së sotme.

Është kështu për faktin se në këtë mënyrë ua ka dhënë mundësinë që të ndërtojnë retorika agresive populiste, për të manipuluar opinionin se gjoja këta nuk janë vegla kondomë dhe angazhimet kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit e Ramush Haradinajt i kanë përnime e jo vetëm sa për syreta të Zotit.

Pas dështimit të përpjekjeve që me satanizimin e Teuta Rugovës të mbulojnë paaftësinë e tyre, dobësinë dhe kontrollin mbi ta që kanë pikërisht Thaçi, Veseli, Haradinaj, ishte e qartë se veglat kondomë kishin nevojë për një pretekst për të shpërfaqur një retorikë jo vetëm populiste, por edhe rrugaçërore, që lidhje nuk ka as me LDK-në, as me filozofinë politike të presidentit Rugova, por ka lidhje me retorika anarkiste të Albin Kurtit dhe të sojit të tij.

Pretekstin ua dha njeriu që i kish ngi SHIK, sa të mos guxojnë më të bëjnë ciu-ciu, pra vetë Kadri Veseli duke mos thirrur sot seancën e jashtëzakonshme, dhe njëherësh t’i kursente nga komprometimi që do të thellohej qoftë nga dobëlsia dhe pafuqia e opozitës, qoftë edhe nga debatet që gjithsesi do të ishin të nxehta.

Mirëpo, siç thuhet në popull: deshi të vëjë vetulla, nxori edhe sytë!, retorika e këtillë agresive, më shumë sesa fuqi, më shumë sesa mllef, më shumë sesa qëndrim politik të partisë më të madhe në vend, ka shpërfaqur frikë, shqetësim për dështim dhe humbje të kontrollit të të menduarit dhe të ligjëratës politike.

Dhe këto kanë komprometuar dhe demaskuar më keq, sepse ta quash bandit Ramush Haradinajn ndërkohë që ke bërë plane dhe politika partiake bazuar në një mundësi dhe besim se ai, përkatësisht AAK do të bashkonte votat me LDK-në kundër Hashim Thaçit, është vërtetë një mjerim i madh, një maskarallëk dhe një gjendje shumë e rëndë në të cilën e kanë sjellë LDK-në veglat kondomë dhe produktet medietike të korpusit medietik kundër LDK.

Një parti që ka lindur në flakët e dhimbjes, të dhunës dhe të udhëkryqit historik kur shqiptarët sërishmi u gjendën në fatkobin e tyre, dhe ka lindur si një shpresë, si një besë dhe si një pishtare e lirisë, pavarësisë, demokracisë, si parti që e mposhti Serbinë, Rusinë dhe gjithë aleatët e tyre në çdo kancelari botërore, që bëri të fitojë simpatinë e gjithë botës dhe mbështetjen e plotë të saj, që për herë të parë ka bërë bashkë burrështetas më të fuqishëm të botës për të luftuar për lirinë e shqiptarëve, e sot të përfundojë në duar të mediokrëve, të injorantëve, të milionerëve të agjenturave dhe të strukurave mafiozo-politike, të paaftë për të ndërtuar politika të qarta, të rregullta, sistematike dhe të vendosura në frymën e intersave strategjike të vendit dhe të kombit, por me të të luajnë edhe çiftat e Kadri Veselit, Hashim Thaçit e të Ramush Haradinajt, vërtet është për të ardhur keq dhe për t’u shqetësuar.

Në një situatë të tillë, më vie ndërmend një varg i një poezie të Ali Podrimjes: Nëse e vret njeriun, kush do ta vrasë ujkun?, e që do të thotë se nëse LDK ka devalvuar në nivele të këtilla kaq të ulëta të analizës politike, të sjelljes politike dhe të politikëbërjes, atëherë kush do të mposhtë të keqen në vend?

Është e qartë se me vegla kondomë që janë të kapur nga koka dhe nga këmbët, me rekrutë agjenturash  kundërshqiptare, me rekrutë të shoqërive sekrete që përziejnë politikat botërore, dhe që në Kosovë e rajon tashmë hapur po punojnë për të realizuar interesa serbe, nuk ka shpresë se do të vritet ujku, përkatësisht do të eliminohet e keqja dhe rreziku.