Kadri Veseli i lumtur me dekretimin e ligjit për Obiliqin

26.12.2016 16:25:24

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka përshëndetur hyrjen në fuqi të ligjit për Obiliqin, i cili është miratuar në Kuvend javë më parë.

Kreu i legjislativit ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se është i lumtur që përmes këtij ligji do të përfitojnë qytetarët e Obiliqit.

“I gëzuar me dekretimin e Ligjit për Obiliqin. Jam i lumtur që Kuvendi i Kosovës ka nxjerr një ligj, nga i cili do të përfitojnë qytetarët e zonës së rrezikuar atje. Përpos përfitimeve financiare, Komuna e Obiliqit do të ketë mundësi që të zhvillojë politika për mbrojtjen e ambientit dhe shëndetit publik, për ç’gjë tash kemi më së shumti nevojë”, ka shkruar Veseli.

Kryeparlamentari Veseli ka qenë insistues në nxjerrjen e ligjit për Obiliqin, i cili do të ndikojë në përfitimin e Komunës më të rrezikuar në Kosovë me nga 7 milionë euro në vit të cilat do të investihen në mbrojtje të ambientit dhe të komunitetit.