Kadri Veseli i SHIK-ut dhe kukudhët e politikës shqiptare

11.10.2018 14:37:49

Nga Rexhep Kastrati

Kadri Veseli doli me një të ashtuquajtur platformë unifikuese, e cila, sipas tij, na paskësh gjithçka që ka kërkuar pozita dhe opozita, duke e nxjerr veten sërishmi si protagonistin kryesor në skenën politike shqiptare në Kosovë.

Në Konventën e PDK-së, Kadri Veseli nuk ka folur thjesht si kryetar i kësaj partie, por më tepër se kaq, ka folur si lider i Kosovës, edhe pse PDK nuk është partia më e madhe, por për shkak se partitë tjera i ka shkelë qoftë me vegla kondomë, qoftë me produkte medietike të koprusit kundër LDK, qoftë edhe me forma të tjera të kontrollit.

Është e qartë se njeriu që edhe para se të futej aktivisht në politikë, kishte kontroll mbi klasën politike në Kosovë dhe jo vetëm, Kadri Veseli i SHIK-ut, vendasi i Nexhmedin Zekës – “Lulit”, me të cilin të përbashkët nuk kanë vetëm vendlindjen – Broboniqin, por edhe nofkën “Luli”, dhe shoku i Ismet Osmanit – “Currit”, tashmë kontrollin e tij e ka të plotë në klasën politike.

Këtë kontroll, Kadri Veseli e kishte ndërtuar gjatë viteve, por u pa në mënyrë të veçantë pasi u bë nënkryetar e më pastaj edhe kryetar i PDK-së, kur edhe arriti që të pamundësojë funksionimin normal të Qeverisë së drejtuar nga LDK jo thjesht se ishte kryetar i partisë së parë në vend, por edhe për shkak të kontrollit të plotë mbi LDK-në, e që u shpërfaq në mosunitetin e Grupit Kuvendor të saj, i cili mjerushëm bënte punë të fortë kundër asaj qeverie dhe realizonte axhenda kundër LDK.

Gjithë ky angazhim kundër Qeverisë së drejtuar nga LDK shoqërohej me një fushatë të fortë kundër SHIK-ut dhe Kadri Veselit, sepse në mendësinë tonë të jolirisë dhe të reminishencave nga e kaluara, sipas të cilës ende quhet guxim dhe e arrirë nëse flitet apo shkruhet kundër dikujt, në këtë rast kundër Kadri Veselit, SHIK-ut, Hashim Thaçit, ani që këta të fundit nuk çanin kokën për sulmet verbale kundër tyre, pasi që mjaftonte që ata që bënin këto sulme të afirmoheshin brenda e rreth LDK-së dhe të merrnin fuqi brenda e rreth saj, si mënyrë për të kontrolluar atë.

Ndërkohë që Qeveria e drejtuar nga LDK ra, në radhë të parë, falë angazhimeve të veglave kondomë dhe të produkteve medietike kundër LDK që ishin dhe janë të grupëzuar në të gjitha klanet brena e rreth LDK-së, sulmet ndaj Kadri Veselit dhe SHIk-ut pushuan dhe po të pyesësh politikanët apo qytetarët se kur kanë dëgjuar apo lexuar së fundmi për SHIK-un, do t’i rrudhin krahët, pasi që nuk kanë dëgjuar apo lexuar gjë që kur ka rënë qeveria e drejtuar nga LDK.

Që atëherë, mjerimi ka rënë mbi klasën politike, mbi të ashtuquajturën shoqëri civile dhe mbi korpusin medietik kundër LDK, dhe gjithë axhendën e vendit po e udhëheqin vetëm dy njerëz: Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, kurse të tjerët janë vetëm zbatues të axhendës së tyre, ashtu siç ishte me të ashtuquajturën tryzë të partive politike, e cila funksionoi aq sa i desh atyre dhe humbi nga faqja e dheut.

Kukudhët e politikës shqiptare që para Konventës së PDK-së bënë atenatin e radhës mbi  ministrin e Mbrotjes së Republikës së Kosovës, kolonel Ahmet Krasniqi, të cilin e sollën në Prishtinë, plotësisht në përputhje me axhendën e Hashim Thaçit, të Ramush Haradinajt dhe në përgjithësi të linjës së Tiranës/Kretës, pa funksionin zyrtar si ministër dhe Komandant i Shtabit të Përgjithshëm të FARK-ut.

Kadri Veseli, duket se po paralajmëron përfundimisht se nuk do të rrijë si deri tash mbrapa perdes, ashtu siç bëjnë drejtuesit e shërbimeve sekrete, por do të luajë një rol të fuqishëm dhe vendimtar në skenën politike të Kosovës.

Në këtë kontekst, nuk do të jetë shumë interesante sjellja e partive në opozitë, sa loja, apo driblingu i Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, sepse klasa politike si një tufë kukudhësh dhe veglash kondomë, nuk do të arrijë të shpërfaqë protagonizëm real, por do të luajë në terrenin e këtyre dyve.