Kadri Veseli po bën lojëra me nënshkrime për të fshehur pafuqinë e tij brenda PDK-së

08.05.2017 11:47:51

Nga Rexhep Kastrati

Kadri Veseli ka vënë kusht për procedimin e Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi që kryeministri Mustafa të dorëzojë listën me 33 nënshkrimet e grupit kuvendor të LDK-së, e që është një kusht i paligjshëm dhe në kundërshtim me praktikën kuvendore dhe legjislative. Neni 79 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës përcakton palët që kanë të drejtë të bëjnë nisma ligjore, e që janë Presdienti, Qeveria, deputetët e Kuvendit dhe 10 mijë qytetarë. Pika 3 e nenit 93 të kushtetutës thotë se qeveria “i propozon Kuvendit projektligje dhe akte të tjera”, dhe nuk thotë askund se Kryetari i Kuvendit mund ta kushtëzojë Qeverinë me nënshkrimet e plota të një grupi kuvendor.

Është e qartë se Kadri Veseli me kushtëzimine bërë, del hapur në kundërshtim  me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duke vënë kështu në plan të parë protagonizmin e tij personal, e jo Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Dhe e bën këtë për shumë arsye: 1. për të shantazhuar kryeministrin dhe LDK-në; 2. për të treguar protagonizëm brendapartiak, e që nuk i është miratuar kurrë në plotni, e në përputhje me këtë të dytën, 3. për të fshehur mundësinë që kuvendarë të grupit kuvendor të PDK-së ta votojnë mocionin e opozitës kundër Qeverisë.

Marrëveshja e koalicionit ndërmjet PDK-së dhe LDK-së, në bazë të të cilës PDK merrte postin e Presidentit, zëvendëskryeminstrin dhe disa ministri, kurse LDK merrte postin e kryeministrit, zëvendëskryeministrin dhe disa ministri, ishte përjetuar rëndë nga pjesa radikale dhe ekstreme e PDK-së, që nuk mund ta kapërdinin faktin se edhe pse parti e parë, nuk do ta kishin drejtimin e Qeverisë. Kadri Veseli, i cili në Konventën zgjedhore kur është zgjedhë kryetar i PDK-së, kishte marrë përsipër që të respektonte marrëveshjen e koalicionit nëpërmjet një Deklarate të miratuar në atë Konventë. Mirëpo, megjithatë qoftë nga egoja e tij, qoftë nga trysni të brendshme, qoftë edhe nga arsye të tjera, me kohë kishte dhënë shenja të qarta se nuk e ndiente veten mirë me kryeministër nga LDK-ja, prandaj edhe u bënë forma të ndryshme edhe politike, edhe mediale, me të ciln mundohej të paraqitej kryeministri Mustafa si kryeministër i dobët, dhe Qeveria nën drejtimin e tij, e pafuqishme. Dhe kjo shkonte në përmasa të barasvlerëshme me tendencat për të imponuar veten si kryeministër faktik të Kosovës. Edhe pse koha ka dëshmuar se kryeministri Mustafa është kryeministër me integritet, dhe është kryeministri më i suksesshëm i Kosovës që ka paraqitur dhe realizuar një model modern dhe pozitiv të qeverisjes së vendit, megjithatë përpjekjet për ta duplifikuar, apo edhe për ta penguar në punën e tij dhe të Qeverisë që drejton, nuk kanë pushuar. Prandaj, edhe kushtëzimi kundërkushtetues i Kadri Veselit që kryeministri Mustafa të paraqesë listën me 33 nënshkrimet e grupit kuvendor të LDK-së, është në vazhdën e përpjekjeve për të paraqitur atë si të pafuqishëm dhe pa mbështetje të plotë nga vetë grupi kuvendor i LDK-së, dhe për ta përdorur këtë edhe në raport me aleatët tanë strategjikë që i kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin mbështetje të plotë kryeministrit Mustafa.

Edhe pse është menduar se ardhja e Kadri Veselit në krye të PDK-së do të paraqiste një moment të rëndësishëm për këtë parti ehde në kuptimin e fuqisë për ta ruajtur një kontroll politik mbi të, megjithatë koha ka treguar se nuk ka qenë kështu. Kundërshtimet dhe pafuqia e tij brenda PDK-së është dëshmuar më shumë se një herë, dhe ka ardhur edhe si pasojë e shtresëzimeve të hershme klanore, grupore dhe të interesave të ndryshme. PDK si parti politike kurrë, ama bash kurrë, nuk ka qenë unike, nuk ka qenë homogjene, por vazhdimisht ka pasur përplasje të mëdha brenda saj, e të cilat janë tejkaluar qoftë me pazare të ndryshme, që janë dëshmuar edhe me aferat e “Prontove”, qoftë edhe me solidaritetin ideologjik sipas të cilit LDK shihej si armike, e jo si kundërshtare e saj. Megjithatë, largimi i Hashim Thaçit nga drejtimi i kësaj partie, përveç përplasjeve të forta klanore dhe grupore dhe të tjera të mëpëarshme, ka hapur edhe garën për kontroll të saj: Hashim Thaçi për të rajtur ndikimin në të, kurse Kadri Veseli për të marrë kontrollin mbi të. Dhe të gjitha këto janë reflektuar në qëndrimet e grupit kuvendor të PDK-së qoftë në raport me qëndrimin ndaj Qeverisë, qoftë edhe me nisma konkrete ligjore. Dhe në rastin e Proejktligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, janë sintetizuar të dyja këto: edhe qëndrimi ndaj Qeverisë, edhe qëndrimi ndaj vetë kësaj Marrëveshjeje të negociuar dhe të nënshkruar nga Hashim Thaçi. Në fakt, te ky Projektligj po reflektohet edhe lufta për kontroll mbi PDK-në, pasi që nga kuvendarë të saj, rrëzimi i tij po shihet si rrëzim i kontrollit dhe ndikimit të Hashim Thaçit në atë parti, dhe rritje e kontrollit të Kadri Veselit.

Me kushtëzimin që kryeministri Mustafa të paraqesë listën me 33 nënshkrimet e kuvendarëve të grupit kuvendor të LDK-së për të proceduar në Kuvend Projektligjin për Ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi, Kadri Veseli në fakt po synon të fshehë dy elemente që janë pasojë e asaj që thashë më lartë: vështirësinë që ka për të paraqitur ai listën me 36 nënshkrime, edhe pse është zotuar për këtë, por edhe për të fshehur edhe mundësinë që kuvendarë të grupit kuvendor të PDK-së të votojnë pro mocionit kundër Qeverisë. Në aspektin e unitetit të grupit kuvendor të PDK-së, gjatë tërë kohës janë vërejtur mospajtime të thella qoftë ndaj qëndrimit ndaj Qeverisë, qoftë edhe ndaj projektligjeve të ndryshme, ndër to edhe ai për Gjykatën speciale dhe ky për demarkacionin me Malin e Zi. Rrëzimi i parë i ndryshimeve kushtetuese për Gjykatën speciale nga ana e disa kuvendarëve të PDK-së, ka qenë edhe refelktim i frustrimit që ka ardhur nga fakti se kjo Gjykatë do të prekë më shumë se çdo parti tjetër, pikërisht këtë parti, por edhe për faktin se kuvendarët kundërshtues kanë lidhje të forta me parti të tjera, pra me parti opozitare. Ky fakt i fundit, ka përcaktuar edhe angazhimet e tyre edhe në raport me Qeverinë, pasi që janë bërë pjesë e axhendës opozitare për rrëzimin e saj, ashtu siç janë bërë edhe disa kuvendarë të LDK-së. Dhe me këtë kushtëzim, Kadri Veseli po synon të fshehë faktin se është grupi kuvendor i PDK-së që nuk do t’i japë të gjithë nënshkrimet për Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi. Dhe për të mos u vënë para këtij fakti, Kadri Veseli ka kërkuar që këtë ta bëjë grupi kuvendor i LDK-së, me bindjen se nuk do të arrijë që të realizohet, dhe kështu të mbetet përgjegjësia te LDK për mosprocedim të këtij projektligji. E në një rast të tillë, pra në një rast që grupi kuvendor i LDK-së nuk do të mund t’i realizonte 33 nënshkrimet e kuvendarëve të saj, atëherë të hapej rruga për rrëzim të Qeverisë, për të shmangur kështu edhe të vërtetën rënduese për PDK-në dhe Kadri Veselin: ballafaqimin me mocionin e opozitës, përkatësisht mundësinë që pro tij të votojnë edhe kvendarë të kësaj partie.

Megjithatë, Kadri Veseli do të duhej të paraqiste i pari listën me nënshkrimet e kuvendarëve të grupit kuvendor të PDK-së, e pastaj të kërkonte nga partneri i kaolicionit që ta bëjë të njëjtën. Dhe edhe pas kësaj, apo pavarësisht kësaj, do të duhej të procedonte në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe të procedonte këtë projektligj në bazë të procedimit nga ana e Qeverisë.