Kadri Veseli, prontopolitikën, haraçpolitikën dhe mollotovpolitikën ofron si të ardhme të Kosovës?

10.05.2017 23:02:09

Nga Rexhep Kastrati

Kadri Veseli ka shkuar deri në fund që të heqë maskën, pasi që ka pranuar de facto se Nisma ka përcjellë veç vullnetin e tij dhe të PDK-së për të prishur koalicionin, jo se Qeveria ka punuar ngadalë, por që nuk qenë në gjendje të ndjekin hapin e saj dhe të kryeministrit Mustafa, ashtu siç e pranoi më në fund edhe Anton Quni.

Mirëpo, në vend se sikurse Anton Quni, të pranonte se PDK nuk mund ta ndiqte hapin e Qeverisë dhe të kryeministrit Mustafa, Kadri Veseli bën të kundërtën, duke shpresuar kështu se mund të eklipsojë sukseset e qeverisjes nën drejtimin e LDK-së dhe të kryeministrit Mustafa.

Dhe për më tepër mbi këto përpjekje për eklipsimin e sukseseve të Qeverisë së drejtuar nga kryeministri Mustafa, u mundua të përcillte rrenat e kulluara dhe që nuk kanë lidhje me të vërtetën.

Më kot, ndërkaq, u mundua që të fshihte faktin se ka bërë gjithçka që institucionet të bllokoheshin dhe kështu të mos kishte vendim-marrje. Dhe kjo nuk ndodhi vetëm në Kuvend, dhe ku Kadri Veseli nuk u krijoi as kushte për punë, as kushte të sigurisë kuvendarëve të Kuvendit të Kosovës, por edhe në Qeveri, ku bllokoi për një kohë të gjatë maratimin e projektbuxhetit për vitin 2017, e pastaj pat kërcënime nga kuvendarë, dhe nga zëvenësministri Kilaj, se edhe në Kuvend mund të bllokohej kalimi i buxhetit e që ishte kërcënim për rrëzim të Qeverisë.

Kadri Veseli nuk e ka hallin e dinamikës së vendim-marrjes, pasi që me bllokimin e institucioneve, janë shtyrë shumë procese dhe janëdëmtuar shumë të tjerë, ashtu siç u bë edhe me ndryshimet kushtetuese për Gjykatën speciale dhe miratimin e ligjit për këtë gjykatë, e të cilat i bllokuan dhe i rrëzuan pikërisht ata kuvendarë të PDK-së që u agnazhuan tepët shumë për rrëzimin e Qeverisë, duke e ndërlidhur kështu kundërvënien ndaj Qeverisë me Gjykatën speciale, dhe duke bërë të qartë se një nga motivet kryesore për rrëzimin e Qeverisë ka qenë pikërisht pengimi i funksionalizimit të kësaj gjykate.

Në anën tjetër, me rrëzimin e Qeverisë, ashtu siç tha edhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Apostolova, me këtë akt është shtyrë liberalizimi i vizave. Pra, është e qartë se Kadri Veseli nuk e ka pasur dhe nuk e ka hallin e dinamikës së vendim-marrjes, por e ka hallin e Gjykats speciale, e ka hallin e pengimit të sukseseve të Qeverisë që nuk i përvetësoi dot dhe nuk i eklipsoi dot.

Përveç kësaj, për çfarë guximi në vendim-marrje flet Kadri Veseli, kur kryeministri Mustafa ka treguar guxim, përkushtim dhe vullnet që në dinamikën më të shpejtë të merren vendimet dhe janë marrë shpejt vendimet që janë varë nga ai dhe për të cilat nuk ka pasur obstruksione nga PDK-ja? Ndrëkaq, nëse ky koalicion që ka pasur gati 90 kuvendarë nuk paska pasur mundësi të marrë vendime të rëndësishme, cili koalicion do të mund të marrë, pasi që asnjë koalicion nuk mund të jetë më i madh se ky? Me çfarë shumice kuvendore do të ratifikohet demarkacioni, kur atë nuk ka mundur ta bëjë ky koalicion? Apo atëherë partitë tjera do ta votojnë këtë? Dhe kështu edhe me vendime të tjera të rëndësishme. Në këtë mënyrë, Kadri Veseli ka dëshmuar kështu edhe një herë se bllokuesi kryesor i vendim-marrjes ka qenë ai dhe partia që me letra e drejton.

Për çfarë fillimi të ri mund të flasë Kadri Veseli, njeriu që ka gjithë atë bagazh akuzash publike? Për çfarë fillimi të ri mund të flasë shefi i SHIK-ut që është identifikuar si një organizatë që i mveshen vrasje të shumta politike? Për çfarë fillimi të ri mund të flasë njeriu që nuk ka as kulturën elementare të komunikimit publik dhe që as emrat e mbiemrat nuk ua shqipton si duhet kuvendarëve, apo që përdor fjalor banal ndaj të tjerëve?

Të jetë vallë Kadri Veseli, fryma e SHIK-ut e ardhmja e Kosovës? Të jetë Xhavit Haliti e ardhmja e Kosovës? Të jetë Shaip Muja – “Medicus”-i e ardhmja e Kosovës? Të jetë Shukri Buja e ardhmja e Kosovës? Të këtillët të janë e ardhmja e Kosovës?