Kadriu e di qysh e ka punën!

25.10.2016 18:54:39

Nga Rexhep Kastrati

Ç’prej se Kadri Veseli përmendi zgjedhjet, u kallën mediat, u kallën portalet dhe u kallën rrjetet sociale me punën e zgjedhjeve. Dhe është për të vënë në pah se të njëjtit që deri në atë moment, Hashimin dhe Kadriun i shihnin si banorë të Hagës, pra si të akuzuar nga Prokuroria Speciale, duke paralajmëruar madje edhe largimin e Hashimit nga posti i presidentit, me t’i përmendur Kadriu zgjedhjet, jo veç që nuk e ngucën më Hashimin, por edhe Kadriun po e paraqesin si kryeministër të ardhshëm të Kosovës. Këta injorantë, shumica vegla të Kadri Veselit, duhet ta ndajnë mendjen: a do të shkojnë Hashimi dhe Kadriu në Gjykatën Speciale, apo jo vetëm që nuk do të shkojnë, por edhe do të marrin pushtet absolut në Kosovë? Të dyjat nuk shkojnë: nuk munden të jenë edhe në Hagë, edhe në Prsihtinë. Së dyti: edhe po u prish koalicioni aktual qeverisës, cila parti e Kosovës do të pajtohej që të bënte koalicion me PDK-në, dhe kjo e fundit të kishte të tri postet kryesore? LDK? Sekta okulte e Albinit? AAK? Vallë, do të pranonte kush nga LDK që hashim Thaçi të jetë president e Kadri Veseli kryeministër, kurse vetë LDK të ishte vetëm pjesë e Qeverisë? Pse do ta pranonte LDK këtë, kur, ta zëmë, PDK nuk e pranon kryeministrin nga radhët e LDK-së? Do të pranonte Ramushi të ishte pjesë e Qeverislë me Kadri Veselin kryeministër, kur arsyeja pse u pat bashkuar me sektën okulte të Albinit, ishte pikërisht ymyti se po ra kjo Qeveri, do të mund të bëhej ai kryeministër, dhe në momentin kur mori vesh se sekta okulte e Albinit nuk e ka ndërmend ta bëjë kryeministër – iku prej saj? Pastaj, do të pranonte të bënte koalicion me PDK-në, me Kadri Veselin kryeministër, kur prishi një koalicion me LDK-në, veç për punë kryeministri? Po Albin Kurti do të pranonte të ishte pjesë e një koalicioni dhe një qeverie me Kadri Veselin kryeministër, kur për këtë post, u prish edhe me AAK-në dhe Nismën? Pra, logjikisht, nuk ka asnjë variant kolaicioni që PDK-së do ia sillte postin e kryeministrit. Një koalicion po: me listën “Srpska”. Po sa do të ishte stabile dhe e qëndrueshme një Qeveri me vetëm me listën “Srpska”, kur një Qeveri me rreth 70 kuvendarë shqiptarë po ka pro bleme? Pastaj, do të pranonte lista “Srpska” të bënte koalicion pa kushte me PDK-në? Në fund të fundit, do të pranohej nga “patriotët” e sotëm opozitarë një koalicion PDK – lista “Srpska”? Së treti: edhe po u bë ndonjë koalicion tjetër më i vogël, do të kishte numrat për të bërë ndryshimet kushtetuese dhe miratimin e ligjeve kur kërkohen 2/3 e votave, kur këtë nuk po mund ta bëjë aq lehtë koalicioni aktual? E nëse nuk mund të bëhen ndryshime të tilla, çfarë do të ndodhë me proceset e rëndësishme për vendin: do të bllokohen, do të bllokohet shteti? Pra, a mund të mendohet teorikisht,se praktikisht jo se jo, se gjithë rrëmuja zgjedhore do të përfundonte me një bllokim të shtetit? Kush janë ata të marrë që e besojnë këtë? Pra, nga do që ta sjell punën, Kadri Veseli e di se nuk bëhet dot kryeministër, dhe edhe po u bë teorikisht, do të jetë një kryeministër i bllokuar.

Po atëherë pse gjithë kjo rrëmujë lidhur me zgjedhjet? Së pari, Kadri Veseli nuk është se ka thënë se do të shkohet patjetër në zgjedhje. Së dyti, çështjen e zgjedhjeve e sheh si një shantazh ndaj LDK-së dhe ndaj partive opozitare, për të faktoriziar veten. Së treti, dhe më kryesorja është që me zhurmën zgjedhore, të amortizojë çarjet e brendshme në PDK. dhe këto çarje janë më të thella sesa që duken, qoftë për shkak të ekzistimit të klaneve dhe grupeve të ndryshme të interesit, qoftë edhe për shkak se ka sakrifikuar shtyllat e rëndësishme të saj: Sami Lushtakun, Sylejman Selimin, dhe shumë të tjerë. Në fakt, zhurma zgjedhore, u bë vetëm pak ditë para vendimit të Gjykatës së Apelit që konfirmoi dënimet e të ashtuquajturit grupi “Drenica”. Informacionet e fundit bëjnë me dije se dega e PDK-së në Skënderaj është e revoltuar nga vendimi i Gjykatës së Apelit, dhe përgjegjëssinë ia ka faturuar Kadri Veselit. Bile, janë duke e shqyrtuar edhe mundësinë e largimit nga PDK. Dhe nëse ndodh kjo, do të jetë një zhvillim interesant, por gjithsesi i paralajmëruar moti edhe nga unë. Dhe ky është ballfaqimi i parë me efektet e arrestimeve dhe dënimeve të personaliteteve të PDK-së, por me radhë edhe të partive të tjera. Dh ky realitet, mund ta ketë tensionuar përbrenda PDK-në, dhe në këtë kontekst, kërëcënimi i tij me zgjedhje duhet të kuptohet në dy mënyra: si kërcënim ndaj vetë partisë së tij se po e vunë në pozitë të vështirë, do ta çojë vendin në zgjedhje; dhe si synim real që ta destabilizojë vendin, për të ndërprerë procesin e arrestimeve dhe dënimeve të personaliteteve të saj. Në të dy raste, mund të dalë humbës vetë Kadri Veseli, sepse do të binin poshtë të gjitha opcionet teorike që i përmenda më lartë, kurse përgjegjësinë e arrestimeve do ta merrnin institucionet e sigurisë të mbështetura nga ato ndërkombëtare.