Kah po shkojmë kështu, o njerëz?

Nga Rexhep Kastrati

Presidenti Rugova kur ka folur për liri, për pavarësi e demokraci,ka pasur parasysh edhe lirinë inividuale për të pasur dhe mbrojtur idetë dhe personalitetin indiidual dhe personal. Në fakt, kjo liri do të thoshte që askush të mos cenohej për idetë e tij, për këndëvstrimin dhe pikëvështrimin e çështjeve që lidhen me çështje personale, por edhe për ato më ë rëndësishmet. E vërteta është, ndërkaq, se kjo liri mungon, sepse gjatë viteve është ndjekur një strategji e rrënimin të saj, njerëzve u është imponuar një sjellje e denjë për regjime totalitare, ku secili shndërrohet në sadomazohist, në një qenie të nënshtruar, në një qenie që ka frikë se mos po ndëshkohet nga eprorët, në një qenie që spiunon dhe madje edhe shpif për të tjerët vetëm që t’ia bëjë qejfin eprorëve dhe në këtë mënyrë të përfitojë ndonjë fjalë të mirë, ndonjë pozitë apo ndonjë përfitim tjetër.

Kësaj i ka kontribuar shumë edhe krijimi i një korpusi medietik që shpërlan trurin, që në vend të gazetarisë, realizon pornogazetari, që është e ngjashme me filmat pronografikë, në seksologji gazetareske, në banalizim të çështjeve dhe në një agjitacion dhe propagandë që bazohet mbi shantazhin, shpifjen dhe luftën speciale.

Dhe në këto kushte, nuk mund të bëhet fjalë për pavarësinë që duhet ta ketë secili individ dhe shoqëria si e tillë, aq më pak, kur edhe çështjet me private dhe më intime bëhen pjesë e debatit publik, kur edhe për çështjet më private dhe personale individi nuk është i mbrohtur as nga ligji dhe as nga reagimi shoqëror.

Opinioni bombardohet me lajme, në të shumtën e rasteve, të rreme për jetën personale të individëve të ndryshëm, për aventurat dhe veprimet më personale dhe më private, madje deri në atë masë sa edhe merren me gatimet që bën iksi apo ypsiloni.

Dhe kulmin kësaj gjendjeje absurdi dhe të jolirisë është kur një idiot që në mungesë të aftësive profesionale bëhet servis i agjenturave të ndryshme dhe krenohet se ka përgjime për jetën seksuale të personaliteteve të ndryshme.

Dhe të jesh krenar për këtë, është lartësim i mjerimit dhe devalvimit moral inividual, por edhe kolektiv, që degradon sistemin e vlerave të një shoqërie dhe vë në dyshim serioz integritetin dhe shëndetin moral të saj.

Dhe për çfarë demokracie mund të bëhet fjalë? Për demokraci të shantazheve, të servilizmitdhe të nënshtrimit, të spiunimit dhe të shpifjeve, të agjitacionit e propagandës dhe të luftës speciale, të pornogazetarisë ku çon peshë se ku i mban gishtat iks femër kur vozit veturën, se kush i ka gjokset apo të pasmet më të mëdha?

Në fakt, bëhet fjalë për jolirinë që paraqitet si liri, për instalim të terrorit psikologjik që ngjall frikën qoftë edhe nga një pëlqim apo mospëlqim në rrjetet sociale, që i detyron njerëzit të presin në rresht për të pëlqyer një postim ndër më të parëndësishmit dhe më të marrë të individëve me mundësi dhe fuqi për të bërë mirë apo keq. Bëhet fjalë për devalvimin e individëve deri në atë pikë sa që ta bëjë të vullnetshëm të nënstrohet, të përulet dhe të shndërrohet në një qenie që veç në aspektin biologjik i ngjan njeriut.

Intriga, hipokrizia, shantazhi, nënshtrimi përballë më të fortit dhe agresiviteti përballë më të dobëtit, pafytyrësia, amoraliteti dh dehumanizimi janë bërë veçori të funksionimit të njeriut dhe të tilla janë bartur edhe në organizime nëdr më të thjeshtat dhe më të voglat e deri te ato më të ndërlikuarat dhe më të mëdhatë.

OJQ, parti, institucione dhe organizime të tjera jabët mbushur plot me individë që kanë veçoritë e mësipërme dhe po rrënojnë bazat e shtetit dhe të shoqërisë, duke vënë në dyshim si aftësitë tona për shtetndërtim, ashtu edhe ato për të funksionuar si një shoqëri e lirë dhe demokratike.

Prandaj, edhe pyetja që gjendet në titull të këtij shkrimi është një pyetje që duhet t’ia shtrojë secili vetes dhe të mendojë seriozisht se kah po shkojmë kështu, çka po ndodh dhe çka do të ndodhë me ne si individë dhe si shoqëri.

Deri kur do të lejojmë që të ndodhë ky devalvim i vlerave të lirisë, të pavarësisë dhe të demokracisë dhe deri ku do të rrënojmë dinjitetin individual dhe kolektiv? Apo aq shumë janë devalvuar këto vlera sa që jemi të pafuqishëm që të reagojmë?