Kalkulimet e Bardhyl Metajt për koalicionet e LDK-së

02.08.2019 23:16:48

Ish-deputeti i LDK-së, Bardhyl Metaj ka treguar preferencat e tij për koalicionet pas zgjedhore.

Metaj, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se ka një “konsensus” nga të gjithë opinionistëve seriozë që partitë e mëdha të shkojë të vetme në zgjedhje.

“E kuptoj PSD-në që është krijuar rishtazi dhe kanë nevojë për ndonjë koalicion, por PDK, LDK, VV, AAK, Nisma kanë nevojë të shohin forcën e vet”.

Ish-deputeti i LDK-së ka thënë se në LDK ka pasur pakënaqësi të jashtëzakonshme që janë pranuar në koalicion AKR dhe Alternativa.

“Me deputetët që hipën në vagonët tonë u formua qeveria e PAN-it. AKR-ja shkoi dhe formoi qeverinë e PAN. Këto parti të vogla po shndërrohen në parti sekserë për formim të qeverive dhe po marrin një bonus të madh. AKR-ja tashmë ka marrë pesë ministri…”.

Meta ka thënë se mes partive serioze duhet të ketë një marrëveshje “gjentellmene”, për t’u futur në zgjedhje të vetme dhe pastaj të shohin “kush me kënd hynë në koalicion”.

Duke folur për koalicionet e mundshme pas zgjedhore, zyrtari i LDK-së thotë se partia e tij ka arsye tjera për të hyrë në koalicion me AAK-në ndërsa tjera me Vetëvendosjen.

Ai thotë se me AAK-në i bashkon çështja e kufijve.

“AAK për shkak të qëndrimit të kufijve është partner i natyrshëm Ndërsa me Vetëvendosjen na lidh ekonomia, pasi duhet të ketë shtet të fortë e jo individë të fortë”.

Meta ka thënë se edhe PSD ka disa njerëz të mirë, ndërsa ka thënë se AKR nuk meriton të futet në parlament e as qeveri.