“Kalvari i grave në burgjet e komunizmit”, tregimi i parrëfyer i nënës së Prenkë Jakovës

20.02.2018 17:34:19

Në përkujtim të përvjetorit të rrëzimit të shtatores së Enver Hoxhës (20 shkurt 1991) parë si ngjarje historike që ndikoi në rënien e regjimit komunist në Shqipëri, Fondacioni Konrad Adenauer në bashkëpunim me Institutin e Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit organizojnë sot konferencën me titull: “JU FLET RADIO”.

Me ç’rast, promovohet kolana e botimeve të ISKK 2017 me praninë e autorëve dhe diskutohet mbi strategjitë e qasjeve mbi historinë dhe krimet e komunizmit të Instituteve dhe Shoqatave shtetërore dhe të shoqërisë civile. Mes librave që përurohen është edhe ai i Fatbardha Mulletit “Kalvari i grave në burgjet e komunizmit”.

Ajo shënon se statistikat, sado të thata e të ftohta, prapëseprapë diçka tregojnë. Në një vështrim janë edhe të egra; gati 10% e të ekzekutuarve në Shqipëri nga diktatura komuniste ishin gra (457).

Shton se përveç rastit të Marije Dedës nga qyteti i Shkodrës, që u vra me armë në dorë në përpjekje me forcat e Sigurimit, vetëm në Malësinë e Madhe u pushkatuan Katrina Nikë Bibaj, Lulë Mirash Prelë Dodaj, Mare Ali Bacaj, Mrikë Dedë Preka, si dhe Dila Bika e Vase Tomë Lleshi në Lezhë dhe File Mimani
e Hamide Vukaj në Pukë.

Gjithnjë në atë plan, nga 308 raste gjithsej, një pjesë ishin gra e vajza që humbën ekuilibrin mendor. U dënuan politikisht 7367 dhe u internuan 10792 gra e vajza. Fatbardha Mulleti, vëren se vetëm në rrugën e saj, përjetoi tragjeditë e familjes së Sadije Kazazit, Filat Kazazit, Ismete Kazazit, Fahrije Kazazit, Adile Kazazit, Budije e Vehbije Bushatit, Hatixhe Pipës, Fatime Vrionit, Hava Bacit, Zade Mukës (gjyshes), Rukije Bushatit, Hajrie Vrionit, Emine Gjyrezit, Xhemile Komit, Syme Mukës, Fetije Vuçiternit, Marjeta Serreqit etj., të cilat unë i njohu personalisht dhe që, në shumicën e rasteve, vetëm se përvijohen në këtë botim. Ishin zonja të vërteta, që nevoja i bëri të kthehen në zot shtëpie.

Shkëpusim nga libri, historinë e familjes së nipit të Isa Boletinit dhe atë të nënës së Prenkë Jakovës.

ROZË JAKOVA
Kur u martua, gjëja më e çmueshme në pajën e saj ishte një flamur kombëtar, që sapo e kishte qëndisur. Një kujtim i bukur për të ishte edhe prania, si kumbarë martese, e patriotëve të njohur Hil Mosi e Kel Marubi. Në kujtesën e saj, nuk do të vononte që të fiksoheshin edhe ngjarje të tjera, si qëndresa e armatosur popullore kundër serbo-malazezëve më 1912-13 dhe 1920, ku mori pjesë edhe i shoqi, Kola.

Me këtë frymë patriotike i rriti ajo djemtë e saj. I biri, Ndoci iu bashkua shokëve, tashmë në qëndresën
antifashiste. I udhëhequr prej flamurit kuq e zi që ai mbante në dorë, me 28 Nëntor 1941, populli i Shkodrës demonstroi rrugëve të Shkodrës.

Nënë Roza ishte krenare për këtë akt trimërie të të birit dhe nuk u tremb kur ia arrestuan, sepse ai ishte i vendosur në rrugën që kishte zgjedhë: eksponent i rëndësishëm i Ballit Kombëtar dhe kundërshtar deri në vdekje i komunizmit, që kishte filluar me u përhapë në Shqipëri.

Këta të fundit nuk ia kishin harruar veprimtarinë dhe, me të marrë pushtetin, kërkuan ta arrestojnë. Në
këto rrethana ai doli në mal. Atë e kishte thirrur kështu Nëna Shqipëri, që sipas shprehjes së Dom Ndre Zadejës, ishte nënë përmbi nënë.

Nënë Roza (1895 – 1981), që sapo kishte mbushë të 50-tat, me atë guxim e vendosmëni që e karakterizonte, i dha porosi: “Lufta nuk don kori”.

Ishte këshilla e fundit për të, sepse nuk do të takoheshin ma. Djemtë e tjerë, Dedën e Çeskun ia futën në burg, kurse atë dhe djalin tjetër, Prenkën i internuan. Mbas një viti i erdhi lajmi, se ai nuk ishte koritë, por, si burrat kishte ra në përleshje me komunistët.

Ditën e mbante veten, nuk jepej. Dhe djemtë çuditeshin me kurajën që kishte. Mandej vinte nata e ajo ishte për dhimbjen e saj. Një ditë i shkoi për vizitë një shoqe, djali i së cilës kishte vdekur në një aksident automobilistik, e në bisedë, filloi të qante.

“Ti, – i dha zemër nëna Roza, – të paktën e di se ku e ka varrin djali yt. Po unë?” dhe instinktivisht ktheu kryet nga Mali i Cukalit, ku preheshin eshtrat e të birit.

Edhe në momente gëzimi mbante seriozitet. “Më duket sikur Ndoci”, – thoshte ajo, – “më ven dorën
këtu te qafa e më thotë: “Nanë, mos më harro”. Nuk e harroi nëna, jo!

Nuk e harruan shokët, e mbarë Shkodra e kujtonte. Ky ishte ngushëllimi ma i madh për të. Tek shokët
e tij, që i shkonin për vizitë a i takonte rrugës, i dukej se kishte të birin përpara, varrhumburin…

Nënë Roza jetoi gjatë, që të shihte edhe hidhërime të tjera. Vdekjet e parakohshme të djemve, Prenkës e Dedës, artistë të shquar që të dy, njëri në muzikë e tjetri në lëmin e fotografisë, e ngurtësuan edhe më shumë. Tre djem, në kohën ma të bukur, nuk ishin ma pranë saj. Çdo ditë që shkonte, e ndjente mungesën e tyre. Çdo ditë e ma tepër, derisa vdiq, duke marrë me vete nderimet e një qyteti.

ADILE BOLETINI
Adilja ka lindur në Shkodër, në vitin 1907, në një familje intelektualësh, në shtëpinë ku sot është parku
“Luigj Gurakuqi” (tek sheshi Hasan Riza Pasha). Babai i saj, Hasan, ka qenë patriot, ka marrë pjesë në
mbrojtjen e trojeve shqiptare të Ulqinit, Grudës, Koplikut, etj.

Familja Bekteshi përbëhej nga katër vajza: Adilja, Miniria, Nasibia, Fahria dhe dy vëllezërit Teufik dhe
Salaudin. Adilja ka mbaruar shkollën e mesme të murgeshave, në qytetin e lindjes, vazhdoi një vit specializim në Itali për punët e dorës.

Zotëronte katër gjuhë të huaja: turqisht, italisht, gjermanisht dhe serbokroatisht. U martua me zotin
Adem Boletini (nga Kosova, djali i heroit Isa Boletini.) Ishin një familje e lumtur, kishin dy djem: Isa
dhe Enis, por gëzimi u ndërpre me 2 nëntor 1943, ku me atentat u vra Adem Boletini.

Por ç’ndodhi me këtë familje pas 28 nëntorit 1944?

Adilen e arrestuan në fillimin e vitit 1945, e mbajtën në burg, për çështjen e Kosovës. E liruan pas pesë muajsh pa i bërë gjyq. Për herën e dytë, Sigurimi i shtetit e arrestoi në shtator 1946, si organizatore e lëvizjes së Postribës. E kanë torturuar duke e lidhur të varur nga krahët, në birucat e Sigurimit të
shtetit dhe torturuesit e saj kanë qenë: Zoi Themeli, Qazim Kapisyzi dhe Dulaq Lekiqi. Është torturuar
në mënyrën më çnjerëzore, duke e futur në ujë të ftohtë me orë dhe ditë të tëra. Ajo tregonte se në kohën e torturave (që vazhdonin ditë e natë pa ndërprerje), një ushtar nga Kavaja, me emrin Bajram në turnin e tij, gjatë natës, ia zgjidhte duart dhe në mëngjes, përpara se të dorëzonte punën, ia lidhte përsëri.

Me gjithë torturat që i bënë, ajo s’tregoi për asnjë takim apo vendstrehim të Jup Kazazit (ideatorit të
lëvizjes së Postribës). Organizimi i burgimit dhe i torturimit të saj, ishte me porosi të sllavo-komunistëve.

Ata donin ta mbanin versionin e vrasjes së Adem Boletinit si të rastësishëm, ndërsa ajo ishte bërë me
porosi të serbëve, gjë të cilën e ka deklaruar dhe vetë atentatori Vasil Shanto. Gjatë kohës së burgut dhe në punën e detyruar në artizanat, shumë familje komunistësh, i bënin presion psikologjik. Opari, një
sigurims, i tha: – Shumë burra kam arritur me i përkulë, por ty nuk arrita të të gjunjëzoj. Je me të vërtetë e reja e Isa Boletinit. Por ajo u përgjigj: Jam dhe gruaja e Adem Boletinit. Kur një hetues i tha të bënte një kërkesë për falje dënimi, Adilia iu përgjigj: -Nuk kërkoj mëshirë nga ju!

Në burgun e madh, në dhomën e grave politike, që i quanin “armike të popullit, Adilia i kaloi vitet e dënimit me shoqe si: Agime Pipa, Terezina Pali, Vitore Kuka, Drita Kosturi, Liza Pali, Bedrije Ashikja, Bardha Krosaj, Marije Frisku, Gjyste Lazri. U lirua pasi plotësoi të pesë vitet e dënimit.

Mbas daljes nga burgu, e internuan në Kavajë. Me ndërhyrjen e profesor Dr. Selaudin Bekteshit, një
mjek shumë i zoti (i njohur në Shqipëri e në botë), në veçanti në pediatri, iu anullua internimi.

Në familjen e këtij “vllau të mrekullueshëm”, Adilja dhe dy fëmijët e saj gjetën strehim, dashuri dhe ngrohtësi. Po si ishte në këtë periudhë jeta në familjen Bekteshi? Vëllai i madh Teofik Bekteshi, i dënuar politik me 5 vjet burg.

Motrat: Minirja – ish-gruaja e z. Maliq Bushati (ish- ministër në qeverinë e Ahmet Zogut, u pushkatua)
s’pati fëmijë.

Nasibe Kazazi – gruaja e nacionalistit Jup Kazazi, i vetëvrarë për të mos iu dorëzuar komunistëve, kur e rrethuan, në shtëpinë e dajës së tij – Rifat Kopliku. Kishte djalë e vajzë.

Fahrija – gruaja e Qazim Ulqinakut, atdhetar e tregtar, i internuar në Kate të Vlorës. Kishte një djalë. Në familjen e nderuar të Profesor Dr. Selaudin Bekteshit jetuan, u rritën dhe u shkolluan shumë nipër e mbesa. Lufta për jetën (mbas burgut) ishte një luftë e përditshme, me probleme se fëmijët punonin në vende të largëta. Por vatra e ngrohtë e Bekteshëve i mëkoi shumë dashuri, që ishte më se e nevojshme për të përballuar luftën e klasës, që ishte motoja e regjimit të diktaturës komuniste.

Zonja Adile mbylli sytë nga kjo botë plot vuajtje në vitin 1976. Me ardhjen e demokracisë, Adilja u
vlerësua nga Kuvendi Popullor dhe Presidenti i Shqipërisë, në vitin 1993 u dekorua me medaljen për
veprimtari patriotike dhe në luftën kundër komunizmit së bashku me burrin e saj Adem Boletini (pas
vdekjes). Ndërsa në Kosovë, në Mitrovicë një rrugë mban emrin Adile dhe Adem Boletini.