Kampanja e Serbisë kundër Kosovës, sivjet asnjë njohje e re

05.10.2019 14:01:05

Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS) në konferencën “Njohja e Kosovës përballë fushatës së Serbisë për tërheqjen e njohjeve”, është thënë se Republika e Kosovës është duke u dëmtuar mjaft në rrafshin e brendshëm dhe atë të jashtëm, që ka sjellë 15 heqje të njohjes së Kosovës, si dhe është duke e dobësuar Kosovën në aspektin e dialogut për të ardhmen.

Butrint Berisha nga PIPS, tha se kampanja për tërheqjen e njohjeve nga ana e Serbisë ka filluar në vitin 2017 dhe nga autoritetet serbe deri më tani kanë deklaruar se 15 shtete e kanë hequr njohjen për Republikën e Kosovës.

“Sa i përket qëllimeve të kësaj kampanje nga ana e Serbisë janë tri, qëllimi i parë është dobësimi Kosovës në dialogun me Serbinë në mënyrë që Kosova të jetë në gjendje të bëjë koncesionet që Serbia i dëshiron në këtë dialog. Qëllimi i dytë i kësaj kampanje është ndalimi i zgjerimit të diplomacisë së Kosovës, qoftë përmes njohjeve të reja apo nëpërmes integrimit të mekanizmave shumë palësh. Ndërsa, qëllimi i tretë është sjellja e numrit të shteteve në OKB në nën 97 shtete”, theksoi Berisha.

Ai tha se sa i përket pasojave që kampanja për tërheqjen e njohjeve i ka prodhuar, ka pasur efekte si në planin e jashtëm, ashtu edhe në atë të brendshëm.

“Në planin e jashtëm kjo kampanjë e ka dobësuar pozicionin e Kosovës dhe legjitimitetin e saj ndërkombëtar. Kjo mund të dëshmohet, ky vit është viti parë që nga shpallja e Pavarësisë që Kosova nuk ka asnjë njohje nga shtetet tjera. Në këtë mënyrë Kosova është një defansivë për të shpenzuar kohën dhe resurset për të mbrojtur njohjet që i ka, jo për të pasur zgjerim diplomatik”, theksoi ai.

PIPS ka rekomanduar qeverinë e ardhshme  që të gjejë format për ta parandaluar fushatën e egër të Serbisë për heqjen e njohjeve të Kosovës.

Berisha tha se në raport me dialogun Kosovë-Serbi, qeveria e re cilado që të jetë duhet të adresojë çështjen e tarifës për të filluar dialogu Kosovë-Serbi.

Ai beson që në vjeshtë të nisë dialogu Kosovë-Serbi.