Kanabis dhe afganë, receta verore e Edi Ramës

26.07.2016 08:06:26

Zhurma me konsensusin e arritur në miratimin e reformës në drejtësi si dhe pasiguria në koalicionin qeverisës, po krijon mikroklimën e favorshme për dy punët e fundit të mbetura pezull për ekipin privat të Edi Ramës: korrjen e kanabisit dhe mbylljen e porosive për transportimin e emigrantëve afganë nëpër Shqipëri e drejt Malit të Zi. Kjo recetë verore punësh të këqija do të damkosë përfundimisht imazhin e vendit si dhe do të rrënojë shpresat e të gjithëve për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE, në dhjetor të këtij viti.

 

Mbyllja e sezonit politik të Kuvendit të Shqipërisë duket se po i lë hapësirë një muaji pa monitorimin e publikut, e kryesisht pa skemën tradicionale të mbikëqyrjes së përditshme të medias e të protagonistëve të politikës. Zhurma me konsensusin e arritur në miratimin e reformës në drejtësi si dhe pasiguria në koalicionin qeverisës, ku larja e hesapeve ka të ngjarë të jetë shtyrë për në vjeshtë, po krijon mikroklimën e favorshme për dy punët e fundit të mbetura pezull për ekipin privat të Edi Ramës: korrjen e kanabisit dhe mbylljen e porosive për transportimin e emigrantëve afganë nëpër Shqipëri e drejt Malit të Zi. Kapja e djeshme e 19 afganëve thuajse në stacionin terminal që do t’i nxirrte refugjatët nga vendi ynë dhe do t’ia kalonte segmentit tjetër të mafias ndërkombëtare, atij që ngjan se e ka qendrën në Malin e Zi, ka tërhequr vëmendjen nga shifrat e forta që po regjistron ky trafik e që po zhvillohet nën hundën e policisë dhe në kulmin e sezonit turistik. Gjatë këtyre javëve, kufijtë e Shqipërisë janë disi më poroze dhe duket se është momenti i duhur për të përfunduar përmbushjen e porosive për transportimin e disa mijëra refugjatë, afganë e sirianë kryesisht drejt Perëndimit, jashtë rrugës klasike ballkanike, e cila u mbyll me ndërhyrjen e kancelares Merkel para më shumë se një viti.

Transportimi i afganëve me bekimin e autoriteteve shqiptare (për këtë foli dje në një denoncim të tijin në facebook edhe ish-kryeministri Sali Berisha) si dhe korrja e kodrave me kanabis (tani thuhet se është koha optimale për këtë gjë), janë dy punët kryesore të ekipit privat të Edi Ramës, gjatë javëve të ardhshme, në pritje të mocionit që do ta sikterisë nga zyra.

Kjo recetë verore punësh të këqija do të damkosë përfundimisht imazhin e vendit si dhe do të rrënojë shpresat e të gjithëve për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE, në dhjetor të këtij viti. Dëmi s’i bën shumë përshtypje kryeministrit pasi ai ka agjendën e vet dhe në të përfshihet grumbullimi i fondeve për të blerë zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të paktën sa t’i sigurojnë një pakicë bllokuese mandatesh që edhe në opozitë të garantojë disi imunitet nga drejtësia. Sjellja prej tinzari që kërkon të shfrytëzojë sezonin veror për recetën verore të trafiqeve s’mund të kalohet me justifikimin e heshtjes për shkak se është kulmi i sezonit turistik. Turistët le të vijnë, edhe refugjatë Shqipëria mund të presë, por shndërrimi i forcave policore në forca paramilitare që ndihmojnë trafikantët e kanabisit dhe afganëve, s’duhet toleruar dhe duhet çmontuar menjëherë, jo veç nga forcat e përgjegjshme shtetërore që ende zbatojnë ligjin, por edhe nga opinioni publik që s’duhet të heshtë për një aksion në shkallë të gjerë që po na njollos të gjithëve.