Kanali i vrasjeve: Armët nga Ballkani drejt Lindjes së Mesme

27.07.2016 23:42:58

I ngritur nga pista e aeroportit ‘Nikola Tesla’ në Beograd, aeroplani çau mjegullën serbe dhe u nis drejt Jeddah të Arabisë Saudite.

Ishte një nga të paktën 68 fluturimet që vetëm për 13 muaj kanë transportuar armë dhe municione drejt shteteve të Lindjes së Mesme dhe Turqisë që pastaj i kanë dërguar armët në luftërat civile brutale të Sirisë dhe Jemenit, kanë zbuluar BIRN dhe OCCRP.

Fluturimet përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të marrëveshjeve 1.2 miliard euro të armëve ndërmjet shteteve që nga viti 2012, kur pjesë të Pranverës Arabe u kthyen në konflikte të armatosura.

Në dy vitet e fundit, ndërkohë që mijëra tonë armë kanë fluturuar drejt jugut, qindra mijëra refugjatë sirianë kanë ikur në veri nga konfliktet që kanë marrë më shumë se 400,000 jetë.Por përderisa shtetet ballkanike dhe evropiane u kanë mbyllur shtigjet refugjatëve, transporti i armëve miliarda dollarësh nga avionët dhe anijet në Lindjen e Mesme mbetet i hapur – dhe shumë fitimprurës.

Është një tregti që është sigurisht ilegale, sipas ekspertëve të armëve dhe të të drejtave të njeriut.

“Provat tregojnë drejt një devijimi sistematik të armëve te grupet e armatosura të akuzuara për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. . Nëse kjo është e vërtetë, transferet janë ilegale nën ATT (Traktati i Tregtisë së Armëve e Organizatës së Kombeve të Bashkuara) dhe ligjeve tjera ndërkombëtare dhe duhet të ndalohen menjëherë”,  tha Patrick Wilcken, një hulumtues i kontrollit të armëve në Amnesty International që shikoi provat e mbledhura nga reporterët.

Por me qindra miliona euro në rrezik dhe fabrikat e armëve që punojnë jashtë orarit, shtetet kanë një nxitje të fortë që ta lënë biznesin të lulëzojë. Licencat e eksporteve të armëve, që supozohen të garantojnë destinacionin e fundit të mallrave, janë fituar pa marrë parasysh provat e shumta që armët po devijohen në Siri dhe në grupe të tjera të armatosura të akuzuara për abuzime të të drejtave të njeriut dhe mizori tjera.

Robert Stephen Ford, Ambasadori amerikan në Siri në 2011-2014, i tha BIRN dhe OCCRP që tregtia po koordinohet nga Agjencia Qendrore e Inteligjencës së SHBA, Turqia dhe shtetet e Gjirit përmes qendrave në Jordani dhe Turqi, edhe pse në praktikë furnizimet e armëve shpesh e tejkalojnë procesin.

BIRN dhe OCCRP ekzaminuan të dhënat e eksportimit të armëve, raportet e OKB-së, të dhënat e fluturimeve, dhe kontratat e armëve gjatë një hulumtimi njëvjeçar që zbulon se si mijëra pushkë sulmi, predha mortaje, raketë-hedhëse, armë anti-tank, dhe armë të rënda po derdhen nga Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Republika Çeke, Mali i zi, Rumania, Serbia dhe Sllovakia drejt rajonit të trazuar.

Aeroplan transportues duke u ngarkuar me armë në Serbi 

Që nga eskalimi i konfliktit sirian në vitin 2012, këto shtatë shtete kanë miratuar dërgimin e armëve dhe municioneve me vlerë së paku 1.2 miliard euro në Arabinë Saudite, Jordani, Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe Turqi.

Shuma sigurisht është më e madhe. Të dhënat e licencave të eksportit të armëve për katër nga tetë shtetet nuk ishin të qasshme për 2015 dhe shtatë nga tetë shtetet për 2016. Katër shtetet pranuese janë furnizuesit kryesor për Sirinë dhe Jemenin që kanë pak ose aspak histori të blerjes nga Evropa Qendrore dhe Lindore. Dhe ritmi i transfereve nuk po ngadalësohet, me marrëveshjet kryesore të miratuara në 2015.

Armët dhe municionet e Evropës Qendrore dhe Lindore, të identifikuara nga më shumë se 50 video dhe foto të postuara në rrjete sociale, tashmë janë në duart e njësive të Ushtrisë së Lirë Siriane e mbështetur nga Perëndimi, por edhe po përdoren nga luftëtarët e grupeve islamike si Ansar al-Sham, Jabhat al-Nusra e lidhur me Al-Qaedën, Shtetit Islamik në Irak dhe Levant në Siri (ISIS), grupe që luftojnë për presidentin sirian Bashar-al Assad dhe forcat Sunni në Jemen.

Shënimet në disa nga armët që identifikojnë origjinën dhe datën e prodhimit zbulojnë që sasi të mëdha kanë ardhur nga linjat e prodhimit në vitin 2015.

Nga licencat e 1.2 miliard eurove armë dhe municione të miratuara për eksport, rreth 500 milionë euro janë dërguar, sipas informacioneve të tregtisë të OKB-së dhe raporteve të eksportit të armëve.

Shpeshtësia dhe numri i fluturimeve të mallrave – BIRN dhe OCCRP i kanë identifikuar 68 të tilla në vitin e kaluar – zbulojnë një rrjedhë të qëndrueshme të armëve nga aeroportet e Evropës Qendrore dhe Lindore në bazat ushtarake në Lindjen e Mesme.

Aeroplani më i përdorur – Ilyushin II-76 – mund të bartë deri në 50 tonë mallra ose rreth 16,000 pushkë kallashnikov ose tre milionë plumba. Të tjerët, duke përfshirë Boeing 747, janë në gjendje të bartin të paktën dyfishin.

Por armët dhe municionet nuk po vijnë vetëm nga ajri. Reporterët gjithashtu kanë identifikuar të paktën tri dërgesa nga ushtria amerikane nga portet e Detit të Zi që po transferonin rreth 4,700 tonë armë dhe municione në Detin e Kuq që nga dhjetori i vitit 2015.

Një anëtar suedez i Parlamentit Evropian e quan këtë tregti si të turpshme.

“Ndoshta ato-(Bullgaria, Sllovakia dhe Kroacia)- nuk ndihen aspak të turpëruara por unë mendoj se ato duhet të ndihen,” tha eurodeputeti Boril Valero, i cili ka shërbyer edhe si raportues në raportin e fundit të BE-së për armët. “Shtetet që po shesin armë në Arabinë Saudite ose në rajonin e Lindjes së Mesme-Afrikën Veriore nuk po i bëjnë vlerësimet e rrezikut mirë dhe, si rezultat, po shkelin ligjet shtetërore dhe të BE-së”, tha Bodil Valero, anëtar i Parlamentit Evropian dhe raportues i raportit të fundit të armëve.

Arabia Saudite – Mbreti i armëve

Transporti i armëve të Evropës Qendrore dhe Lindore mund të gjurmohet që nga dimri i vitit 2012, kur duzina aeroplanë mallrash, të ngarkuar me armë dhe municione të kohës së Jugosllavisë të blera nga Arabia Saudite, filluan të largohen nga Zagrebi për në Jordani. Shpejt filmimi i parë i armëve kroate doli nga zona e luftës në Siri.

Sipas një raporti të New York Times në shkurt 2013, një zyrtar i lartë kroat ofroi stoqet e armëve jugosllave për Sirinë gjatë një vizite në Uashington në verën e vitit 2012. Zagrebi më vonë filloi kontaktin me sauditët, që financuan blerjet, ndërkohë që CIA ndihmoi me logjistikën e një aeroplani që filloi më vonë atë vit.

Ndërkohë që qeveria kroate ka mohuar vazhdimisht pjesëmarrjen në dërgimin e armëve në Siri, Robert Stephen Ford, ish-ambasadori amerikan në Siri konfirmoi për BIRN dhe OCCRP informatën e Times nga një burim anonim se si u arrit marrëveshja. Ai tha që nuk ka liri ta diskutojë atë.

Kjo ishte vetëm fillimi i një rrjedhje të padëgjuar më parë të armëve nga Evropa Qendrore dhe Lindore në Lindjen e Mesme, ndërkohë që transporti u zgjerua duke përfshirë stoqet e shtatë vendeve tjera. Tregtarët lokalë të armëve gjetën armë dhe municione nga shtetet e tyre dhe ndërmjetësuan shitjen e municioneve nga Ukraina dhe Bjellorusia, dhe madje tentuan të sigurojnë sistemet anti-tank të bëra nga Bashkimi Sovjetik të blera nga Britania, përderisa pasoi një pazar armësh i shtrirë në gjithë Evropën.

Para Pranverës Arabe në vitin 2011, tregtia e armëve mes Evropës Lindore dhe Arabisë Saudite, Jordanisë, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Turqisë – katër mbështetësit kryesorë të opozitës së Sirisë – ishin të papërfillshme deri në jo-ekzistuese, sipas një analize të të dhënave të eksportit.

Por kjo ndryshoi në vitin 2012. Mes këtij viti dhe vitit 2016, tetë shtete të Evropës Lindore kanë miratuar eksporte të armëve dhe municione me vlerë 829 milionë euro për Arabinë Saudite, sipas raporteve të eksportit të armëve kombëtare dhe të BE-se si dhe burimeve nga qeveria.

Jordania siguroi licenca eksporti prej 150 milionë euro që nga viti 2012, ndërkohë që Emiratet e Bashkuara Arabe kapën 150 milionë euro dhe Turqia 87 milionë euro, duke sjellë një total prej 1.2 miliard euro.

Katari, një tjetër furnizues kryesor i pajisjeve për opozitën siriane, nuk shfaqet në licenca të eksportit nga Evropa Qendrore dhe Lindore.

Jeremy Binnie, ekspert i armëve për Lindjen e Mesme për Jane’s Defense Weekly, një publikim që pranohet si burimi më i besueshëm për informacione të mbrojtjes dhe sigurisë, tha që shumica e eksporteve të armëve nga Evropa Lindore do të shkojë në Siri, dhe një pjesë më e vogël në Jemen dhe Libi.

“Me pak përjashtime, ushtritë e Arabisë Saudite, Jordanisë, dhe Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Turqia përdorin armët dhe municionet e këmbësorisë perëndimore, në vend të atyre të dizajnuara nga sovjetikët”, tha Binnie.

“Prandaj duket që një pjesë e madhe e këtyre dërgesave të këtij materiali të dërguara te këto vende janë të destinuara për aleatët e tyre në Siri, Jemen dhe Libi”, tha ai.

BIRN dhe OCCRP kanë parë dokumente konfidenciale nga Ministria e Mbrojtjes së Serbisë dhe protokollet nga një seri mbledhjesh ndër-ministrore në 2013. Dokumentet tregojnë që Ministria zbuloi shqetësimet e saj për dërgesat në Arabi Saudite që do të devijonin në Siri, duke treguar që vendi nuk përdor stoqe të Evropës Qendrore ose Lindore dhe që ka një histori të furnizimit të opozitës siriane.

Forcat e sigurisë saudite, ndërkohë që janë të armatosura nga prodhues perëndimorë, njihen për përdorimin e sasive të limituara të pajisjeve të Evropës Qendrore dhe Lindore. Kjo përfshin kamionë ushtarakë të prodhuar në Çeki dhe disa pushkë sulmi të prodhuara nga Rumania. Por edhe eksportet e armëve të destinuara për përdorim nga forcat saudite po duken kontroverse, duke marrë parasysh përfshirjen e tyre në Jemen.

Holanda u bë shteti i parë i BE-së që ndaloi eksportet në Arabinë Saudite si rezultat i vdekjeve të civilëve në luftën civile në Jemen, si dhe Parlamenti Evropian ka thirrur për një embargo në gjithë BE-në.