Kandidatët të zhgënjyer me rezultatet, dyshojnë në vjedhje të votave

Kandidatët të zhgënjyer me rezultatet, dyshojnë në vjedhje të votave

20.06.2017 09:24:27

Shumica e kandidatëve mitrovicas për deputetë prej të gjitha partive, nuk kanë marr votat që kanë pretenduar në Mitrovicë.

Disa prej tyre janë shprehur të zhgënjyer me rezultatet, derisa janë arsyetuar se pak kanë punuar individualisht, dhe më shumë janë përqendruar në nivel të partisë. Ka edhe të tillë të cilët dyshojnë se votat e tyre janë keqpërdorur nga ana e komisionerëve dhe vëzhguesve.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, njëherësh kandidat për deputet nga radhët e koalicionit LAA-n, i cili ka marr më pak se 2 mijë vota, tha se nuk ndjehet i zhgënjyer me rezultatet. Sipas tij, përjashtuar videon ku ai fton publikisht qytetarët për ta votuar, Bahtiri thotë se nuk ka kërkuar votë për veten, por për partinë.

“Nuk ndihem aspak i zhgënjyer, duke marrë parasysh se zgjedhjet lokale dallojnë shumë nga ato qendrore. Unë nuk kam kërkuar votë për veten, por për partinë. I kam ftuar të gjithë qytetarët që të votojnë ndryshimin, dhe jo Agimin”, ka thënë Bahtiri.

Ai ka falënderuar qytetarët e vendit, sidomos ata të Mitrovicës, për besimin dhe siç tha ai, faktin që është renditur i treti pas Avdullah Hotit dhe Vjosa Osmanit.

Rrustem Musa, kandidat nga radhët e PAN-it, ka bërë të ditur për KosovaPress se ndjehet tejet i zhgënjyer dhe se dyshon në keqpërdorim të votave.

“Po, jam i zhgënjyer. Është rrezik se votat e kandidatëve janë keqpërdorë nga ana e komisionerëve dhe vëzhguesve”, tha shkurt Musa.

Edhe Faruk Mujka, kandidat nga Vetëvendosja, theksoi se është i zhgënjyer. Ai ka potencuar se më shumë është punuar për partinë sesa për individët.

“Është zhgënjyese. Nuk kemi punuar, ose më mirë me thënë se puna jonë ka qenë e përqendruar në fitoren e përgjithshme sesa të individëve”, sqaroi Mujka.

Ja nga sa vota kanë marr kandidatët mitrovicas në vendlindjen e tyre.

Kandidatët mitrovicas për deputetë nga koalicioni PAN: Abdyl Salihu PDK (4422), Rrustem Musa PDK (4276), Jehona Shyti PDK (2636), Drita Kadriu PDK (2030).

Kandidatët mitrovicas nga koalicioni LAA: Faton Peci LDK (1837), Agim Bahtiri AKR (1791), Sadri Ferati LDK (1521), Jeton Ujkani AKR (750), Hasan Preteni Alternativa (214).

Kandidatët mitrovicas nga Vetëvendosje: Faruk Mujka (2142), Vlora Haxhimehmeti (1449) dhe Fidan Ademi (1342). Kandidati i Nisma-s nga komuna e Mitrovicës, Besim Shyti, ka marr 931 vota, ndërsa AAK-ja nuk ka pasur fare kandidat për deputet në Parlamentin e Kosovës nga kjo komunë.

Ndryshe, tashmë kur kanë filluar të publikohen të dhënat se sa vota fituan kandidatët për deputetë në parlamentin e Kosovës, mësohet se nga të gjithë kandidatët mitrovicas, vetëm Abdyl Salihu nga PDK, përkatësisht koalicioni PAN, i cili ka marr gjithsej rreth 12 mijë vota, ka arritur të sigurojë ulësen në Kuvendin e Kosovës.

I kontaktuar nga KosovaPress, Salihu ka thënë përmes telefonit se do të jetë zë i fuqishëm i qytetarëve në përpjekje të krijimit të një mirëqenie sa më të mirë për të gjithë pa dallim.

“Do të jem zë i fortë brenda Parlamentit për një mirëqenie sa më të mirë për të gjithë qytetarët pa dallim, për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, sistem cilësor sidomos në shëndetësi e arsim, si dhe gjyqësor të pavarur”, ka thënë shkurt  Salihu.

Në anën tjetër, sa i përket liderëve, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, kryeson listën e më të votuarve nga elektorati në Mitrovicë, duke marrë 7937 vota.

Pas tij renditet Albin Kurti me 7483 vota, ndërsa i treti vjen Avdullah Hoti me 2849 vota. Ndërkohë që kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka 2118 vota, Behgjet Pacolli 1169 vota, Fatmir Limaj 621 vota dhe Mimoza Kusari-Lila 552 vota./KP