Kandidati i PDK-së: Duhet të jesh në LDK për të gjetur punë në Podujevë

22.02.2020 18:45:11

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Podujevës, Naim Fetahu, ka thënë se me qeverisjen e tanishme, qytetarët duhet të jenë të anëtarësuar në Lidhjen Demokratike të Kosovës për të gjetur punë.

Ai ka premtuar se me ardhjen e tij në pozitë, do të bëjë gjithçka që është e mundur për të mirën e qytetarëve të Podujevës, njofton Klan Kosova.

“Jam jashtëzakonisht i nderuar që kam besimin tuaj për ta drejtuar Podujevën për zgjedhjet që i kemi me 15 mars. Besimi juaj më bën nder. Do të përpiqem të bëj krejt çka mundem për të mirën e gjithë qytetarëve të Podujevës”.

“Jam kandidat i juaji për kryetar të komunës me zgjedhjet e datës 15 mars. Besimi juaj është obligim për mua për të realizuar misionin e PDK-së në komunën tonë. Fitoren e PDK-së e bëjmë bashkë, vetëm me ju mund të ecim përpara”.

“Qeverisja lokale është institucioni më i kapur në Podujevë. Gjendja e qytetarëve është jashtëzakonisht e vështirë. Bileta e vetme për të marrë një vend punë është të jesh anëtar i LDK-së. Me ardhjen time në komunë, do t’ju hapi rrugë vlerave të qytetarëve”.