Kapen mbi 15 tonelata kanabis në Vlorë

14.07.2017 17:57:24

Mbi 15 tonë kanabis u zbuluan në një super – operacion të Policisë Shqiptare, ndërsa 2 efektivë të forcave të rendit u arrestuan se bashku me një kryeplak dhe 6 persona të tjerë.

Pjesa më e madhe e lëndës narkotike u kap ne tre banesa në zonën e Llakatundit të Vlorës, në fshatin Drithash.

Njëra prej shtëpive i përket oficerit të policisë, Lirim Lamaj. Në të u gjetën të mbjella 270 bimë kanabis.
Ai u arrestua së bashku më të vëllanë e tij, Astrit Lamaj.

Polici tjetër i arrestuar, Avdul Sinanaj, akuzohet për shpërdorim detyre. Në pranga është vënë edhe kryeplaku i Drithasit, Balil Gjata, 69 vjeçar për moskallëzim krimi.
Veç Vlorës, një sasi prej 700 kilogramë kanabis u kap në Kavajë.

Policia arrite të pikasë dy mjete që ishin të ngarkuara me drogë dhe po shkonin drejt plazhit të Gjeneralit. Uniforma blu arritën të shoqërojnë katër persona. Ndërsa, në Karpen u gjet një skaf 15 metra i gjatë.

Drogë u gjet edhe në Përmet, ndërsa operacioni është zhvilluar edhe në qytetet e Elbasanit, Shkodrës, Tiranës, Krijës dhe Kukësit, nën drejtimin e drejtorit të Përgjitshëm, Haki Çako, i cili paralajmëroi aksione të tjera të këtij niveli.