Kapet shtetasi turk që u largua nga aeroporti i Rinasit

13.08.2016 15:46:45

Policia ka ndaluar shtetasin turk që 5 ditë më parë u largua nga zona e tranzitit në aeroportin e Rinasit.

Burime zyrtare njoftojnë se ai u arrestua rreth orës 12:30 nga Policia Kufitare e Rinasit, pranë zonës së Muzeut Kombëtar në Tiranë.

28-vjeçari me iniciale I.E më 8 Gusht, rreth 15:00 u largua nga zona e tranzitit në Rinas, gjatë kohës kur po i plotësoheshin dokumentat e prapësimit, pasi i ishte refuzuar hyrja në territorin e Shqipërisë, kjo pasi, sipas policisë, nuk plotësonte kushtet e udhëtimit dhe të hyrjes në mënyrë të rregullt në vend.

Nga verifikimet e kryera dhe kqyrja e pamjeve filmike, rezulton se 28-vjeçari ka përfituar nga fluksi i pasagjerëve në dalje dhe rreth orës 15:00 është futur në mënyrë të paligjshme në territorin e Shqipërisë.

Aktualisht, policia thotë se po punohet për zbardhjen e rrethanave dhe arsyet e largimit të tij nga Aeroporti i Rinasit në ditën e ngjarjes, pasi ai nuk kishte probleme me drejtësinë. Ndaj policia sqaron se po punohet për të zbuluar arsyet që e shtynë këtë person të largohej në atë mënyrë.