Karantina me urdhër të Serbisë, Policia e Kosovës nuk i lejon shqiptarët e Mitrovicës së Veriut të dalin në jug

04.04.2020 13:32:14

Qytetarët e komunave veriore të Kosovës nuk po lejohen të kalojnë në pjesën jugore për shkak se qytetet e veriut janë futur në karantinë me urdhër të qeverisë së Serbisë.

Këtë e ka bërë të ditur, Blerim Zhubi, qytetar i pjesës veriore të Mitrovicës i cili nëpërmjet një postimi në Facebook thotë se policët serbë të Kosovës nuk e kanë lejuar të dal në pjesën jugore për të blerë gjëra ushqimore, shkruan lajmi.net.

“Kujt dreqin i shërben kjo polici, qeverisë së Kosovës apo asaj të Serbisë?”, ka pyetur ky qytetar.

Ai ka kritikuar qeverinë se nuk po i bëhet vonë për hallin e shqiptarëve në pjesën veriore, por për kapjen e shtetit me borde.

“Këtë situatë e ka dëshiru Serbia qe 20 vite, asnjë prononcim për këtë gjendje nga qeveria e Kosovës”, ka shkruar ai.

Për të njëjtën temë ka folur edhe kryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës në veri e cila ka pyetur se kujt qeveri duhet t’i binden qytetarët e veriut.

Në një postim në faqen e saj facebook ajo e ka bërë bashkëpërgjegjëse për dorëzimin e sovranitetit të Kosovës, qeverinë në largim të z. Kurti duke thënë se ka “ lëshuar leje për strukturat paralele serbe që të administrojnë në mënyrë autonome masat kundër pandemisë brenda shtetit tonë.

Ajo gjithashtu ka shprehur shqetësimin e banorëve shqiptar që jetojnë në veri të Ibrit të cilët sipas saj “po ndihen shumë të pasigurtë nga kjo indiferencë e neglizhencë e qeverisë në largim”.

“Qeveria në ikje Kurtit e ka braktisur veriun e Kosovës dhe ia ka dorëzuar Beogradit pasi e ka lënë luftën kundër koronavirusit në këtë zonë në dorë të autoriteteve shtetërore të Serbisë . Kjo qeveri e papërgjegjshme ka ndenjur duarkryq ndaj cënimit të sovranitetit tonë shtetëror që është bërë nëpërmjet imponimit në veri të Kosovës së orës policore të Serbisë dhe së fundmi ska asnjë reagim edhe ndaj karantinimit nga Beogradi të dy komunave kosovare Mitrovicës Veriore dhe Zveçanit. Qeveria e shkarkuar madje është bashkëpërgjegjëse për këtë dorëzim të sovranitetit të shtetit të Kosovës duke lëshuar leje për strukturat paralele serbe që të administrojnë në mënyrë autonome masat kundër pandemisë brenda shtetit tonë. Kjo është situatë alarmante që ka shqetësuar të gjithë banorët shqiptarë të veriut të Kosovës të cilët po ndihen shumë të pasigurtë e nga kjo indiferencë e neglizhencë e qeverisë në largim.”, ka shkruar ajo.

Në anën tjetër, qeveria e Kosovës nuk ka thënë asnjë fjalë lidhur me situatën e krijuar në veri.