Kastrati – Lahi Brahimajt: Me kokën e kujt hiqeshin fotografitë e presidentit Rugova, braktisej Adem Jashari dhe realizoheshin vrasjet politike?

06.09.2016 15:43:00

Lahi Brahimaj, paska gjetur rastin të reagojë për ndryshimet në urbanistikën e lagjes së Boshnjakëve, për të përraisur për patriotizmin, edhe pse kurrë nuk e kam dëgjuar, apo nuk kam lexuar të thotë ai, apo linja e Tiranës/Kretës ndonjë fjalë për heqjet e fotografisë së presidentit Rugova nëpër odat e shqiptarëve gjatë luftës, për fyerjet, primitvizmin dhe gjithë marrëzitë e tjera të kryera gjatë luftës kundër linjës institucionaliste të presidentit Rugova. Po ashtu, as Lahi Brahimaj, apo “Togeri” kurrë nuk ka dënuar as vrasjet politike të kryera edhe në Dukagjin ndaj personaliteteve të ndryshme politike dhe ushtarake: Shaban Manaj, Ismet Rraci, kolonel Tahir Zemaj, Smajl Hajdaraj, Sebahate Tolaj, Isuf Haklaj etj., nuk ka folur kurrë për raste dhunimesh të femrave shqiptare nga vetë shqiptarët etj. Po ashtu, aasnjë fjalë kurrë nuk e kam dëgjuar apo lexuar lidhur me të vërtetën e vrasjes së Adem jasharit dhe të familjes së tij, as për tradhtinë që i është bërë atë ditë, duke u braktisur nga ata që më parë ishin me të, dhe që kanë marr grada, kanë bërë uzurpime dhe kanë vrarë ehde njerëz në emër të tij. Dhe me këtë rast nuk bëhet fjalë për “barrikada”, por bëhet fjalë për çështje shumë të rënda dhe shumë të dëmshme jo vetëm për vetë Adem Jasharin, por për shqiptarët e Kosovës në përgjithësi. Të shpresojmë se Dhomat e Posaçme të Gjykatës dhe të Prokurorisë speciale do të merren me të gjitha këto, dhe do të hedhin dritë mbi të vërtetën për të gjithë ata që kanë bërë përpjekje dhe që po vazhdojnë të bëjnë përpjekje të pengojnë proceset edhe me kushtin që t’i vihet flaka Kosovës dhe shqiptarët të vriten mes vete!