Kastrati – Visar Ymerit: Me përkushtimin ndaj serbëve, rrezik që mushtishtasit do t’i tërhiqnit zvarrë

28.08.2016 14:26:50

Visar Ymeri nuk priti shumë që të dilte  dhe të dënonte policinë e shtetit, e cila ka kryer punën e saj në përputhje me ligjin dhe me kushtetutën, në funksion të evitimit të incidenteve eventuale ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Edhe pse e di, ose duhej ta dinte se policia zbaton ligjin për të mbrojtur rendin dhe sigurinë e qytetarëve pavarësisht nga përkatësia etnike, fetare etj., e nuk është për të bërë politika, as për të treguar se kush ka drejtë e kush jo, kush është më patriot ose më pak, megjithatë, ia adresoi asaj një varg akuzash të natyrës politike. Në fakt, Visar Ymeri, e përdori këtë rast, në të cilin policia ka qenë e provokuar nga disa individë, përkundër qëndrimit të dinjitetshëm të banorëve të Mushtishtit, për të treguar përkushtimin e tij dhe të sektës okulte të Albinit ndaj serbëve, por edhe për të instrumentalizuar çdo situatë, çdo incident të mundshëm ose në tentativë, për të shpalosur akuzat e tyre tashmë të kthyera në refrene bajate kundër policisë dhe kundër shtetit. Dhe drejton akuza ndaj policisë kryetari formal i një sekte, nga janë organizuar gjithë ato sulme fizike ndaj policisë, janë hedhur gjithë ato mjete piroteknike në drejtim të saj dhe të institucioneve të shtetit, dhe që kërcënojnë se do të tërheqin njerëz zvarrë, pavarësisht se për kë bëhet fjalë, duke e dëshmuar veten më tepër një GESTAPO, sesa një forcë politike. Kurse përkushtimi i treguar ndaj serbëve nga ana e Visar Ymerit, në postimin e sotëm në facebook, gatishmëria e madhe për t’i rikthyer serbët në vendbanimet ku kanë qenë më parë, lë përshtypjen se kushdo që do të kundërshtonte, sikurse sot në Mushtisht, do t’i tërhiqte zvarrë rrugëve të vendbanimeve të ndryshme. Ndërkaq, duhet ta kuptojë Visar Ymeri, por edhe sekta okulte e Albinit në përgjithësi se koha e hipokrizive, e mediokriteteve dhe instrumentalizimit të situatave të ndryshme për të akuzuar shtetin dhe institucionet e tij, në funksion të krijimit të mundësive për manipulimin emocional të qytetarëve për ta destabilizuar vendin, ka kaluar, pasi që të gjithë e kanë të qartë se patriotizmin e keni vetëm qëllime anarkiste, kundërshtetërore dhe luftënxitëse.