Kastriot Tusha në fshatin Karakurt të Ukrainës me shqiptarë të shpërngulur që nga vitet 1800

12.05.2017 00:35:05

Ende pa aguar dita mirë në fshatin Karakurt të Ukrainës, në të cilën banojnë më shumë se 2000 shqiptarë me Rodion Pandarin, kryetar i shoqatës së shqiptarëve në Ukrainë “Rilindja”, u nisëm drejt qytetit Odesa në bregun e Detit të Zi.

Me Rodikun u nisëm të presim në Aeroportin e Odesës Artistin tonë të dashur, tenorin Kastriot Tusha, i cili ishte i shoqëruar me miqtë e tij shqiptarë të Turqisë nga Stambolli, Faruk Turker dhe Ilir Myrtaj. Faruku më kishte marrë disa herë në telefon nga Stambolli dhe më kishte kërkuar që kur të jemi te shqiptarët e Ukrainës ta lajmëroj sepse ka dëshirë të madhe t’i vizitojë dhe në këtë program do të mundohej të ftonte edhe mikun e tij Artistin mjeshtrin e madh Kastriot Tusha.

Avioni arriti dhe mysafirët tanë të dashur me të dalë nga aeroporti ne ua propozuam që fillimisht t’i vizitonim dy nga rrugët më të vjetra në qytetin e Odesës. Këto rrugë ishin ndërtuar nga shqiptarët, të cilët kishin marrë pjesë në ndërtimin e themeleve të qytetit të Odesës dhe për këtë arsye këtyre rrugëve ua kishin dhënë emrat shqiptarë.

Në rrugën “Mala Arnautskaja” (“Bulevardi i Vogël i Shqiptarëve”) parkuam makinën dhe filluam të ecim në këmbë gjatë rrugës që kanë ndërtuar të parët e gjakut tonë arbëror, të cilët ishin pjesë e një historie të lavdishme duke marrë pjesë në ushtrinë e Mbretëreshës Katerina e Dytë dhe si ushtarë trima morën pjesë në shumë beteja të lavdishme. Pasi ecëm në këmbë për gati një orë Rodiku na propozoi të kalonim në rrugën “Balshaja Arnautskaja” (“Bulevardi i Madh i Shqiptarëve”). Nga historitë që po u tregonte Rodiku për të kaluarën e shqiptarëve në Ukrainë mysafirët po impresionoheshin dhe e dëgjonin Rodikun me shumë vëmendje. Rodiku tregonte që shqiptarët në Ukrainë janë shqiptarë të ardhur që nga vitet 1800. Të kesh një prejardhje që nga vitet 1800, të jesh shumë larg nga trojet shqiptare dhe të dëgjonin sesi Rodiku fliste kaq bukur dhe kuptueshëm gjuhën shqipe ishte arsyeja më e madhe e impresionimit të mysafirëve tanë të dashur.

Pasi bëmë një pushim të shkurtër në qytetin e Odesës u nisëm me makinë drejt fshatit Karakurt. Kishim të bënim një distancë afërsisht 250 km. Gjatë gjithë rrugës ndërmjet bisedave dhe pyetjeve të panumërueshme në lidhje me shqiptarët e Ukrainës flitej edhe për emocionin e madh që kishin shqiptarët e fshatit Karakurt për koncertin që do të jepte Artisti Kastriot Tusha në Sallën e Kulturës së fshatit bashkë me Ansamblin e Shqiptarëve këtu në Ukrainë.

Menjëherë mbasi arritëm në fshat Rodiku na ftoi në shtëpinë e tij të pimë nga një kafe. Arritja jonë në fshat rastisi edhe me Festën e Shën Gjergjit, për të cilën përgatitjet kishin filluar me kohe. Mbasi u përshëndetëm me familjen dhe me të madhen e shtëpisë, nënën e Rodikut u ulëm dhe filluam të bisedonim. Nëna na solli të hamë edhe bukë të gatuara nga ajo dhe gratë e fshatit për Festën e Shën Gjergjit.

Në Sallën e Kulturës po na priste një numër i madh i banorëve të Karakurtit dhe Ansambli i Shqiptarëve këtu në Ukrainë. Gjithçka ishte bërë gati dhe Ansambli do të jepte një shfaqje të mirëorganizuar për mysafirët shqiptarë që erdhën nga Shqipëria, Kosova dhe Turqia. Artisti i madh Kastriot Tusha më tha disa herë gjatë shfaqjes se nuk e kishte besuar se këtu në Ukrainë shqiptarët kishin formuar ansamblin e tyre që në mënyrë shumë profesionale po interpretonin vallet dhe këngët shqipe. Mysafirët disa herë u ngrenë në këmbë duke duartrokitur për emocionet që po ua jepte mënyra dhe profesionalizmi i Ansamblit të Këngëve dhe të Valleve të Shqiptarëve këtu në Ukrainë.

Kënga e “Vendit tim”, si dhe kënga “Lemza” e kompozitorit Agim Krajka, e interpretuar nga Grupi Vokal i Vajzave bëri që Artisti Kastriot Tusha të mbetet i habitur për të mirë me profesionalizmin dhe mënyrën e interpretimit nga Ansambli, që asnjëherë nuk ka pasur ndonjë ndihmë nga Shqipëria dhe gjithë këtë punë profesionale e bëjnë me entuziazëm dhe dashuri  të madhe për të mbajtur gjallë këngën dhe vallen shqipe këtu në Ukrainë.

Kur moderatorja para publikut të pranishëm ftoi Artistin Kastriot Tusha të dalë në skenë, publiku menjëherë filloi të duartrokiste për minuta të tëra. Ata ishin shumë të emocionuar sepse para tyre kishin për herë të parë një artist dhe këngëtar të madh që po vinte nga vendi i të parëve të tyre.

Bashkë me Ansamblin në skenë Kastriot Tusha interpretoi në mënyre të shkëlqyer dhe me plot emocione disa këngë nga repertori i tij, ndërsa më e veçanta ishte kënga “Rrjedh në këngë e ligjërime” (Shqipëria ime) dhe përveç Ansamblit në skenë valëvitej edhe flamuri kuqezi me të cilin doli në skenë një nga të rinjtë e fshatit Karakurt, Aleksandër Lehov.

Pas përfundimit të koncertit për një kohë të gjatë biseduam me Elena Zheqeven – kryetaren e fshatit dhe biseda sillej për mundësitë që Ansambli i Valleve dhe Këngëve Shqipe këtu në Ukrainë të ndiejë apo të përjetojë ndihmë vëllazërore të shqiptarëve të Shqipërisë dhe të Ballkanit. Kastriot Tusha dhe Faruk Turker i premtuan se do të angazhohen që me njohjet dhe mundësitë e tyre që kanë do të vihen në funksion fillimisht të dërgimit të një koreografi të valleve këtu tek shqiptarët në Ukrainë, si dhe për mundësinë e organizimit të një turneu në trojet shqiptare.

Nga të rinjtë e fshatit, Aleksandër Lehov me një entuziazëm dhe emocion të paharruar për takimin që patëm me ta duke shprehur respektin dhe gëzimin e tij të madh për prezencën tonë në Karakurt na ftoi për dasmën e tij që e kishte organizuar për ditën e nesërme. Ai i kishte përgatitur ftesat e dasmës me një kujdes të madh duke shkruar edhe emrat e të gjithëve ne 4 shqiptarëve që kishim ardhur këtu nga Shqipëria, Kosova dhe Turqia.

Në fshatin Karakurt të Ukrainës bashkë me miqtë tanë tenorin Kastriot Tusha, Faruk Turker dhe Ilir Myrtaj, si dhe me të gjithë fshatarët e Karakurtit kaluam dy ditë të paharruara. Kaluam ditë plot emocione nga ku e pamë edhe një herë se çdo të thotë të jesh shqiptar, e pamë edhe një herë sesi kalimi i qindra viteve shqiptarët kudo në botë nuk i ndan, por i bashkon edhe më tepër, e pamë edhe një here se as largësia nga trojet e tyre, as kalimi i viteve nuk ndikojnë në vazhdimin e zakoneve dhe njohjen e gjuhës shqipe.

Sigurisht që është e pamundur të përcjellim në këtë shkrim të gjitha ndjenjat dhe emocionet tona që jetuam në Karakurt, por po e mbyll shkrimin tim me dollinë e fshatarëve të Karakurtit:

Bereqet – kësmet – shëndet – gjuhë ëmbël!

Falënderoj shqiptarët e Karakurtit për mikpritjen e ngrohtë.

Falënderoj mysafirët shqiptarë dhe në veçanti Artistin tonë të madh, tenorin Kastriot Tusha si për modestinë e tij, ashtu edhe për ardhjen në Karakurt.

Mirupafshim së shpejti!

Jakup Lecaj

Kosovë, Lipjan

Image

Image

Image

Image

Image

Image

Image