Katër pretendentë për kandidat të PDK-së për kryetar të Prizrenit

08.08.2017 17:18:26

Zgjedhjet lokale të cilat janë caktuar të mbahen më 22 tetor po afrohen, derisa partitë politike kanë filluar konsultimet nëpër degë për emrat e mundshëm që do të jenë kandidat për kryetar të komunave.

Njëra nga qendrat ku pritet të zhvillohet garë e ashpër mes partive është edhe qyteti i Prizrenit, shkruan lajmi.net

Përderisa nga partitë tjera ka emra të ndryshëm që spekulohen se mund të jenë kandidatë, nga Partia Demokratike e Kosovës ende nuk ka një vendim definitiv.

Kryetari i degës së PDK-së në Prizren, Minir Krasniqi në një prononcim për lajmi.net ka thënë se janë tre apo katër emra në garë të ngushtë, por që nuk e ka zbuluar asnjërin nga ta.

“Janë tre apo katër emra në garën e ngushtë, janë anëtarë të kryesisë dhe figura të rëndësishme të partisë. Jemi duke biseduar dhe nuk ka asgjë definitive, nuk kemi vendim final”, tha Krasniqi.

Ai ka bërë të ditur se dega është duke punuar që ta finalizojë edhe listën e kandidatëve për asamblesitë.

“Dega është duke punuar dhe nuk kemi asgjë të përfunduar. Ende nuk e kemi finalizuar lsitën e kandidatëve për asambleistë”, ka thënë kryetari i degës së PDK-së në Prizren.

Krasniqi ka thënë se nuk ka ndonjë informacion nëse Ramadan Muja, kryetari aktual i qytetit mund të rikandidojë për këtë post.

Nga Nisma për Kosovën emri më i mundshëm si kandidat për kryetar të Prizrenit është Zafir Berisha, kurse nga Lidhja Demokratike e Kosovës është Hatim Baxhaku.