Katërmbëdhjetë njerëzit që më 1924 shkruanin saktë gjuhën shqipe

18.01.2017 12:56:47

Lista ishte përgatitur nga përkthyesi i Legatës, Kol Kuqali.

Në vitin 1924, legata amerikane në Tiranë kishte një listë të 14 njerëzve që mund ta shkruanin saktë gjuhën shqipe.

Nevoja e kësaj liste kishte lindur ngaqë një numër termash të përdorura në kushtetutën e përkohshme të hartuar me nxitim në Kongresin e Lushnjes (1920), mund të interpretoheshin me dy kuptime. Amerikanët donin të dinin se me cilët mund të këshilloheshin për çështjet e gjuhës.

Lista ishte përgatitur nga përkthyesi i Legatës, Kol Kuqali, bën të ditur përmes rrjetit social Facebook, Ilir Ikonomi. Sipas Kuqalit, sado të zgjerohej kjo listë, ajo nuk i kalonte të 40 vetët.

1. Faik Konica, kryetar i “Vatrës”, editor i “Diellit”, Boston.

2. Fan Noli, kryeministër dhe kryepeshkop i Dioqezës Ortodokse të Durrësit.

3. Konstandin Çekrezi, pedagog, Universiteti George Washington, Uashington, DC.

4. At Gjergj Fishta, prift françeskan dhe poet, Shkodër.

5. Luigj Gurakuqi, ministër i Financave.

6. Llazar Fundo, kryetar i “Shoqërisë Bashkimi”, redaktor i gazetës së saj, Tiranë.

7. Kristo Dako, klerik i krishterë, i punësuar nga kompania Standard Oil, Tiranë.

8. Mit’hat Frashëri, ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Greqi.

9. Milto Sotir Gurra, mësues, Korçë.

10. Sotir Gjika, zv/kryeredaktor, “Gazzetta di Puglia”, Bari.

11. Dom Lazër Shantoja, prift jezuit, Shkodër.

12. Arqile Tasi, editor i “Diellit”, Boston.

13. Sejfulla Malëshova, kryesekretar, zyra e Kryeministrit, Tiranë.

14. Andon Frashëri (Adams), sekretar privat i Kryeministrit, Tiranë.