KDI kërkon nga LVV-ja formimin sa më të shpejtë të Qeverisë së re

14.01.2020 16:51:25

Kosova po udhëheqet nga një Qeveri në dorëheqje prej më shumë se gjashtë muajsh.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), vlerëson qasjen konstruktive të subjekteve politike për konstituim pa vonesë të Kuvendit, më 26 dhjetor të vitit që lamë, megjithatë korniza institucionale në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit 2019 mbetet ende pa u kompletuar tërësisht. Duke pasur parasysh që vendi është duke u udhëhequr nga një Qeveri në dorëheqje prej më shumë se gjashtë muajsh, vlerësojmë se krijimi i Qeverisë së re është urgjent, transmeton lajmi.net.

“Duke qenë se kanë kaluar 100 ditë që nga mbajtja e zgjedhjeve, proces ky i zhvilluar në përputhje me standardet demokratike dhe me rezultate të pranuara dhe legjitime, KDI-ja kërkon nga Lëvizja Vetëvendosje, si subjekti politik fitues i zgjedhjeve, të gjejë një zgjidhje sa më të shpejtë për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës në marrjen e detyrave dhe përgjegjësive kushtetuese e ligjore”, thuhet në kumtesën e KDI-së.

Secila vonesë në materializimin e vullnetit politik dhe besimit të qytetarëve, do të ndikojë negativisht në adresimin e çështjeve që kërkojnë trajtim të menjëhershëm, siç janë miratimi i buxhetit, sundimi i ligjit dhe zhvillimi ekonomik.