KE thotë se për zgjedhjet duhet pritur Kushtetuesja, nxit palët për reformë zgjedhore

04.07.2019 13:14:11

Komisioni Evropian njësoj si Ambasada amerikane në Shqipëri tonë thotë se të gjitha kundërshtitë për procesin zgjedhor të 30 qershorit do të mund të adresohen në institucionet e reja të drejtësisë, konkretisht në Gjykatën Kushtetuese.

Në përgjigje të RTV Ora, KE thotë se “ne besojmë se çdo pikëpamje e ndryshme rreth procesit zgjedhor mund të adresohet së shpejti nga institucionet kompetente në Shqipëri”.

Komisioni nënvizon se zgjedhjet lokale të zhvilluara në Shqipëri të dielën më 30 qershor u zhvilluan në një kontekst të ndarjes politike, por në një mënyrë përgjithësisht të qetë dhe të rregullt.

“Ne morëm parasysh të gjitha vërejtjet paraprake të bëra nga Shefi i Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE / ODIHR. Organet lokale të sapozgjedhura tani duhet të jenë në gjendje të punojnë sipas kompetencave të tyre kushtetuese, në dobi të qytetarëve të vendit”shprehet Komisioni.

Komisioni Evropian apelon sërish që qeveria dhe opozita të tregojnë pjekuri politike dhe të angazhohen urgjentisht në dialog konstruktiv për të kapërcyer situatën aktuale politike.

“Si thuhet në mënyrë të përsëritur: qeveria dhe opozita duhet të demonstrojnë pjekuri politike dhe të angazhohen urgjentisht në dialog konstruktiv për të kapërcyer situatën aktuale politike”.

Komisioni Evropian thekson gjithashtu se “të gjitha institucionet shqiptare dhe udhëheqësit politikë tani duhet të përqendrojnë përpjekjet e tyre në zbatimin e vazhdueshëm të procesit të reformës, duke përfshirë rinisjen e reformës së iniciuar më parë të legjislacionit zgjedhor për të adresuar rekomandimet e ODIHR-it”.